Deputeti i Parlamentit Evropian i reagon Lajçakut e Borrellit: Po e lejoni Vuçiqin të mbjellë farën e luftës

Deputeti gjerman i Parlamentit Evropian, Reinhard Butikofer ka pyetur liderët e BE-së nëse e kanë dëgjuar deklaratën e fundit të presidentit serb, Aleksander Vuçiq. Vuçiq ka bërë së fundi një paralajmërim për Perëndimin, që sipas tij të zgjedhin mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan lajmi.net. ”Nuk është problem i doni ata e nuk na doni neve,…

Lajme

19/03/2024 13:25

Deputeti gjerman i Parlamentit Evropian, Reinhard Butikofer ka pyetur liderët e BE-së nëse e kanë dëgjuar deklaratën e fundit të presidentit serb, Aleksander Vuçiq.

Vuçiq ka bërë së fundi një paralajmërim për Perëndimin, që sipas tij të zgjedhin mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan lajmi.net.

”Nuk është problem i doni ata e nuk na doni neve, nëse i doni ata, nuk do të na keni neve. I doni ata dhe doni t’u ndihmoni atyre, do të mbijetojmë! Por jemi mjaftueshëm të edukuar dhe mjaftueshëm të mençur e trima dhe mjaftueshëm kemi marrë mësime dhe kemi fituar përvoja pas gjithë asaj që na keni bërë 25 vjetët e kaluara që ta presim momentin më të mirë të mundshëm dhe ta shfrytëzojmë mundësinë, rastin tonë”, ka thënë Vuçiq.

Lidhur me këtë Deputeti gjerman, Butikofer, iu drejtua liderëve të BE-së, Josep Borell, Miroslav Lajçak, Oliver Varhelyi duke thënë se deklarata e presidentit Vuçiq u dëgjua mjaft qartë.

Më tutje ai shtoi se duke mos reaguar ndaj veprimeve të tilla, po e lejojnë Vuçiqin “të mbjellë farën e luftës”.

Ai theksoi se duhet të ndërmerret diçka menjëherë.

“Hej, JosepBorrellF, MiroslavLajcak, OliverVarhelyi, e dëgjuat këtë me zë të lartë dhe qartë. Si mund të vazhdoni të pretendoni se “problemi” është kryeministri Kurti? Ju pretendoni se ndiqni “stabilitetin”, por e lejoni Vuçiqin të mbjellë farën e luftës! Von der Leyen, ju duhet të ndryshoni kursin e BE-së! TANI”, ka thënë Butikofer. /Lajmi.net/