Deputeti Frroku akuzohej për një vrasje në Belgjikë

Tashmë është bërë e qartë se prokuroria shqiptare ka qenë e informuar se deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Mark Frroku kishte problem me drejtësinë belge ku ai akuzohej për vrasje.

Lajme

27/03/2015 23:00

Vetëm justifikimi i Prokurorit të Përgjithshëm për arrestimin, se ai kërkohet nga drejtësia belge e konfirmon këtë. Por portali “lapsi” ka mësuar se edhe qeveria shqiptare ka qenë e mirë informuar për çështjen Frroku dhe e dinte se ai, në Bruksel, fshihej nën identitetin e Azem Krasniqit.

Prej mese një viti – thotë një burim nga Interpoli, për lapsi.al, “ne i kemi njoftuar autoritetet shqiptare se nën identitetin e Azem Krasniqit të dyshuar për vrasjen e shqiptarit tjetër Aleksandër Kurti, fshihej deputeti i parlamentit Mark Frroku”.

Ashtu siç thotë për burimi i Interpolit, qeveria shqiptare paska qenë e informuar në rrugë të dyfishtë. Pra edhe nga organet kompetente edhe nga mediat. Në janar të vitit të kaluar mediat më të mëdha të vendit e publikuan historinë e vrasjes në Bruksel, duke iu referuar disa gazetave belge. Përpos mediave edhe ish kryetarja e parlamentit Topalli e denoncoi në kuvend se pas Mark Frrokut fshihej një vrasës i dyshimtë. Por edhe pas kësaj heshtje, vetëm kur deputeti i koalicionit të majtë akuzoi me fjalë fyese Jozefinën, Rama gjoja reagoi duke i thënë që po s’kërkoi falje ai do të përjashtohej nga grupi i PS-së.

I forti Frroku e sfidoi kryeministrin por ai vazhdoi të qëndrojë në grupin socialist deri këtë të enjte. Pikërisht, megjithëse nuk kërkoi falje dhe megjithëse Rama ishte informuar tashmë nga Interpoli, se ai dyshohej për vrasje, Frrokut nuk i hyri gjemb në këmbë. Policia madje, megjithëse i kishte këto informacione, e la të lirë edhe pasi dyshoi se ai fshihte në makinën e tij një trafikant droge.