Deputeti Abraham do që Kosova shpejt të hyjë në KiE, kërkon rol proaktiv të Gjermanisë në këtë drejtim
Anëtari i CDU-së në Bundestag, Knut Abraham, ka kërkuar që Kosova të bëhet shpejt anëtare e Këshillit të Evropës. Në një intervistë të publikuar në ueb-faqen e Bundestagut gjerman, Abraham, i cili u zgjodh rishtazi si udhëheqës i delegacionit gjerman në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PVER), tha se Kosova i ka përmbushur të…

Lajme
Anëtari i CDU-së në Bundestag, Knut Abraham, ka kërkuar që Kosova të bëhet shpejt anëtare e Këshillit të Evropës.
Në një intervistë të publikuar në ueb-faqen e Bundestagut gjerman, Abraham, i cili u zgjodh rishtazi si udhëheqës i delegacionit gjerman në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PVER), tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për t’u bërë anëtarja më e re e këtij organizmi.
“Po i shoh zhvillimet shqetësuese në Gjeorgji dhe Azerbajxhan, si dhe rritjen e të burgosurve politikë në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, si një sfidë veçanërisht të madhe për vitet e ardhshme. Duke vepruar kështu, dua gjithashtu të punoj për zbatimin më të mirë dhe më efektiv të vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe të ndihmoj që demokracia e fundit evropiane që nuk është ende anëtare e institucionit dhe ka përmbushur të gjitha kushtet, të bëhet së shpejti anëtare: Kosova”, tha Abraham.
Ai shpreson që Gjermania veçanërisht “të luajë një rol proaktiv dhe parimor në Komitetin e Ministrave” për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në KiE.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës majin e vitit 2022. Por, vendi u la jashtë rendit të ditës në takimin e Këshillit të Ministrave të këtij mekanizmi që zhvilloi punimet në Strasburg më 17.05.2024.
Kjo për faktin që qeveria e Kosovës nuk e kishte dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese një draft statut të BE-së për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili ishte vënë kusht për Kosovën për anëtarësim në këtë organizatë.
Një letër zotimi Kosova e kishte dërguar në KE një ditë para shqyrtimit të aplikimit, ku thuhej se Kosova do ta hartonte deri në fund të muajit maj një draft statut të saj për Asociacionin, por kjo nuk gjeti mbështetje nga mekanizmat ndërkombëtar.
Ma datën 15 maj 2024 ndërkaq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kishte pranuar një letër nga presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Georgia Meloni, të cilët shprehin mbështetje për propozimin e BE-së për Asociacionin, dhe jo vetëm për zotimet e Prishtinës, pa hapa konkret.
“Së pari, projekt statuti i paraqitur nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, nuk është thjesht një ‘propozim xhentëlmenësh’. Është një model solid, i hartuar me kujdes me ndihmën e juristëve dhe ekspertëve evropianë, bazuar në praktikat më të mira ekzistuese në Evropë. Ai merr plotësisht parasysh të gjitha vijat tuaja të kuqe si dhe kuadrin kushtetues dhe ligjor të Kosovës”.
“Si i tillë, ai gëzon mbështetjen tonë të plotë. Le të theksojmë edhe një herë se ne nuk duam një Kosovë jofunksionale, Asociacioni nuk është në asnjë mënyrë i krahasueshëm me Republikën Serbe”, thuhej në letrën e tre udhëheqësve evropianë.
Ne letrën e Macron, Scholz dhe Meloni, nënvizohej qartë se “ekziston rrezik real që pa përparim vendimtar për Asociacion, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare”.