Dënohen 10 vetë për terrorizëm
Gjykata Themelore në Gjilan ka dënuar 10 vetë për terrorizëm. Trupi i përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtarë e vendës ka konstatuar se ata kishin themeluar një grup që kishte kryer një sulm të armatosur ndaj postbllokut serb afër Bujanovcit, në vitin 2012.
Lajme
Dënohen 10 veta në Gjilan për terrorizëm dhe organizim ose pjesëmarrje në një grup terrorist.
Një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarët ndërkombëtarë dhe vendës, në Gjykatën Themelore në Gjilan, ka shqiptuar afro 60 vjet burgim për këta dhjetë të dënuar, njofton EULEX.
Të dënuarit janë: Valon Jashari, Skënder Jashari, Gazmend Lakna, Gazmend Xhemshiri, Qëndrim Rexhaj, Muhamed Aliu, Skender Selmani, Enver Musolli, Abdullah Zogaj dhe Jeton Shabani.
Në njoftimin e EULEX’it thuhet se trupi gjykues ka konstatuar se të pandehurit e kishin themeluar një grup të organizuar, i cili e kishte kryer një sulm të armatosur ndaj postbllokut serb afër Bujanovcit, në vitin 2012.
Dënimi i këtyre personave bazohet në akuzën se grupi kishte për qëllim nxitjen e një konflikti në Luginën e Preshevës, për të shtyre bashkësinë ndërkombëtare që të intervenojë.
Ky grup prej 10 vetave janë dënuar me burg në kohëzgjatje nga 2 deri në 9 vjet burg.