Dënimi i spiunes serbe me 6 vite burg, Sveçla: Askush nuk është mbi ligjin, kush e cenon rendin kushtetues nuk do të tolerohet

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka shkruar në lidhje me dënimin që Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shqiptuar spiunes serbe Jelena Gjukanoviq, me gjashtë vite burgim. Ai ka thënë se institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, janë angazhuar si kurrë më parë në zbulimin dhe parandalimin e aktivitetit të spiunazhit në vendin tonë,…

Lajme

27/04/2026 15:21

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka shkruar në lidhje me dënimin që Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shqiptuar spiunes serbe Jelena Gjukanoviq, me gjashtë vite burgim.

Ai ka thënë se institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, janë angazhuar si kurrë më parë në zbulimin dhe parandalimin e aktivitetit të spiunazhit në vendin tonë, i cili ka rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues.

Ai ka thënë se Gjukanoviq ka zhvilluar veprimtari spiunazhi duke nxjerrë dhe shpërndarë te akterë të ndryshëm në Serbi dokumente të brendshme dhe të ndjeshme të institucioneve tona.

“Ndërkohë që institucionet e sigurisë do të vazhdojnë pa kompromis luftën kundër këtyre veprimtarive, kërkohet edhe më shumë vendosmëri në vendimmarrje dhe ndëshkueshmëri, në përputhje me peshën dhe pasojat e rënda që këto akte kanë për Republikën tonë. Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë veprim që cenon sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës sonë nuk do të tolerohet”, ka shtuar mes tjerash Sveçla. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: