Demolohen varrezat e vjetra mbi 200 vjet në Rekë, BIK kërkon veprime nga institucionet

Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se varrezat e periudhës osmane në fshatin Rekë të Allagës në Komunën e Pejës janë demoluar me ekskavator. Në një reagim BIK ka thënë se ky akt është një vandalizëm i papranueshëm. “Pavarësisht motiveve, ky akt paraqet një vandalizëm të papranueshëm dhe të pariparueshëm, një sulm të drejtpërdrejtë ndaj…

Lajme

20/08/2025 13:58

Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se varrezat e periudhës osmane në fshatin Rekë të Allagës në Komunën e Pejës janë demoluar me ekskavator.

Në një reagim BIK ka thënë se ky akt është një vandalizëm i papranueshëm.

“Pavarësisht motiveve, ky akt paraqet një vandalizëm të papranueshëm dhe të pariparueshëm, një sulm të drejtpërdrejtë ndaj kulturës dhe trashëgimisë sonë shekullore. Përveç dëmit material dhe shpirtëror, ky veprim synon të nxisë tensione ndërfetare dhe të cenojë harmoninë tradicionale që ka karakterizuar kombin dhe shoqërinë tonë ndër breza. Veprime të tilla vandale bien ndesh me vlerat themelore të shoqërisë sonë dhe përfaqësojnë mendësi që prodhon urrejtje, mosdurim dhe përçarje. Atakimi i varrezave dhe gurëve mbivarrorë është në thelb sulm ndaj kujtesës sonë historike, ndaj gjyshërve e të parëve tanë, ndaj vlerave që kanë ndërtuar identitetin tonë kombëtar dhe shtetëror”, thuhet nga BIK.

Sipas, Bashkësisë Islame autorët e këtij akti të ulët veprojnë si instrumente të agjendave anti-shqiptare dhe anti-kosovare, të cilat nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe të civilizuar.

“Kërkojmë me urgjencë nga institucionet kompetente – komunale, regjionale dhe qendrore – përfshirë Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore, Policinë dhe Prokurorinë, që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e trashëgimisë sonë historike.Po ashtu, kërkojmë që gurët mbivarrorë të rikthehen në vendin e tyre të mëparshëm dhe të restaurohen sipas standardeve të trashëgimisë kulturore, ndërsa autorët e këtij akti të dalin sa më parë para drejtësisë”, thuhet në reagim.