Demaçi: Si PDK, si Blloku duhet t’i bëjnë disa sakrifica

Veprimtari Adem Demaçi vlerëson se me zgjedhjet eventuale të jashtëzakonshme, që do të shënonin mbajtjen e tyre dy herë brenda një periudhe të shkurtër, askush nuk do të fitonte, ndërsa ato do të merrnin edhe më shumë kohë për krijimin e institucioneve të reja.

Lajme

28/10/2014 19:27

Duke folur për Politiko.net, ai u shpreh se do të ishte mirë që të gjitha partitë politike parlamentare të sakrifikojnë diçka, në mënyrë që sa më shpejt Kosova të bëhet me institucione, tashmë kur prej përfundimit të zgjedhjeve të qershorit vendi ka hyrë në një krizë të thellë politike.

“Unë jam me atë pjesën e popullit që me të vërtetë pret që këta vëllezërit tanë, të cilët synojnë pushtetin, mos të lejojnë shkuarjen në zgjedhjet e reja. Nëse do të ketë zgjedhje, jo vetëm që merr kohë, por kam frikë se do të dalin humbës të gjithë. Nuk është mirë të dalim humbës, pas gjithë këtyre pritjeve. Ka zgjidhje, vetëm duhet që partitë e mëdha të heqin dorë nga disa interesa të ngushta”, tha ai.

Sipas tij, edhe pse është vonuar kjo punë, duhet të gjendet një zgjidhje me vullnet të faktorit politik. “Do të ishte më e hijshme, do të kishte më shumë fitim sesa humbje”.

Demaçi tërheq vërejtjen se ngërçi i stërzgjatur politik është duke i shkaktuar vendit probleme të mëdha, ndërkohë që jeta institucionale pothuajse është paralizuar.

Sipas tij si PDK ashtu edhe Blloku duhet t’i bëjnë disa sakrifica.

“Të mos vonohen më tutje, sepse është bërë shumë. Unë po mrekullohem me këtë popullin tonë sa i durueshëm është dhe sa nuk po zemërohet nga kjo situatë. Por, megjithatë, është duke pritur me shpresë që të gjendet njëfarë rrugëdalje”.

“Mendoj që katër deri në pesë muaj me këtë situatë, ku janë ndalur krejt institucionet, ku nuk po funksionojnë si duhet, është bërë mjaft. I kam vëllezër, edhe ata, edhe këta, në këto parti. Lufta për pushtet është legale dhe duhet të përpiqen. Por, është bërë shumë”, tha Demaçi.

“Nuk ka zgjidhje tjetër, pos të ulen dhe të heqin dorë nga ato interesat e ngushta partiake dhe të mendojnë edhe për interesin e këtij populli të gjorë, të këtij shteti tonë të shkretë që po pret”.

Demaçi e sheh si të mirë përpjekjen e Presidentes. “Po them se nuk e ka keq Presidentja që po bën përpjekje kaq shumë, që po insiston kaq shumë. Nëse duan, faktikisht zgjidhja është. Duhet sakrificë. Mund të gjendet njëfarë rrugëdalje”.

Ai përsërit se zgjidhjen mund ta gjejnë vetë liderët politikë kosovarë, pa pasur nevojë për ndërhyrje ndërkombëtare.

Konsideron se nuk do të ishte mirë që faktori ndërkombëtar të detyrohej të shtronte presion. “Nuk është mirë që ne ta sjellim punën deri aty”. (Politiko.net)