Deliu-Kodra kritikon raportin e Kurtit: Në të mungon Kosova e përditshme dhe problemet e qytetarëve
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka kritikuar raportin e kryeministrit Albin Kurti për të arriturat kryesore të Qeverisë Kurti 2, duke thënë se në të mungon pasqyrimi i realitetit me të cilin përballen qytetarët. Kurti të mërkurën publikoi një dokument prej 57 faqesh, në të cilin ka përmbledhur të arriturat që…
Lajme
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka kritikuar raportin e kryeministrit Albin Kurti për të arriturat kryesore të Qeverisë Kurti 2, duke thënë se në të mungon pasqyrimi i realitetit me të cilin përballen qytetarët.
Kurti të mërkurën publikoi një dokument prej 57 faqesh, në të cilin ka përmbledhur të arriturat që i konsideron kryesore gjatë mandatit të dytë qeverisës. Ai gjithashtu bëri të ditur se drafti i programit të ri qeverisës pritet të jetë gati javën e ardhshme.
Megjithatë, Deliu ka vlerësuar se raporti nuk pasqyron mjaftueshëm problemet dhe sfidat e përditshme të qytetarëve të Kosovës.
“Në 56 faqet e raportit të Albin Kurtit, do të duhej ta gjenim edhe Kosovën e përditshme”, ka shkruar Deliu në një postim në Facebook.
Ajo ka përmendur vështirësitë ekonomike me të cilat përballen pensionistët dhe familjet, problemet e pacientëve, si dhe pasigurinë e të rinjve për të ardhmen në Kosovë.
Sipas deputetes së PDK-së, kryeministri ka përmendur rritjen e pagave, por pa e krahasuar atë me rritjen e çmimeve. Po ashtu, ajo ka kritikuar mungesën e trajtimit të nivelit të furnizimit me barna, përkundër përmendjes së rritjes së buxhetit për shëndetësi.
“Pas pesë vjetësh qeverisje, qytetarët kanë të drejtë me kërku një bilanc të mirëqenies së tyre, jo vetëm një përmbledhje të të arriturave të Qeverisë”, ka theksuar Deliu. /Lajmi.net/