Deliu: As Haxhiu as Pacolli s’u sulmuan pse janë gra, mos ta përdorin këtë si mburojë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar ndaj deklaratave të disa zyrtareve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat kanë sugjeruar se kritikat ndaj tyre kanë prapavijë gjinore. Deliu, e ftuar në emisionin Kosova Live në televizionin T7, ka deklaruar se nuk është as e drejtë, e as korrekte që figurat politike të fshihen…

Lajme

29/07/2025 17:35

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar ndaj deklaratave të disa zyrtareve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat kanë sugjeruar se kritikat ndaj tyre kanë prapavijë gjinore.

Deliu, e ftuar në emisionin Kosova Live në televizionin T7, ka deklaruar se nuk është as e drejtë, e as korrekte që figurat politike të fshihen pas gjinisë sa herë që përballen me kritika publike për veprimet apo deklaratat e tyre politike, transmeton lajmi.net

Deklaratat e saj vijnë pas një serie reagimesh nga zyrtare të Vetëvendosjes, përfshirë ministren Albulena Haxhiu dhe deputeten Fitore Pacolli, të cilat kanë tentuar të lidhin kritikat që u janë bërë me një qasje seksiste në shoqëri.

Megjithatë, në të dyja rastet, kritikat publike kanë pasur bazë konkrete dhe politike, përtej çdo ndjeshmërie gjinore.

Ministrja Haxhiu është kritikuar për qëndrime të paqarta e kontradiktore në lidhje me sistemin e drejtësisë, ndërsa ndaj Fitore Pacollit ka shpërthyer një revoltë qytetare pas raportimeve mediale se familjarë të saj kanë përfituar mbi 252 mijë euro nga buxheti publik, përmes formave që janë cilësuar si konflikt interesi./lajmi.net/