Deklarohet i pafajshëm Gent Myftari, akuzohet se vrau vëllain me thikë në banesë në Prishtinë

I akuzuari Gent Myftari, është deklaruar i pafajshëm për akuzën se e ka vrarë vëllanë e tij Auron Myftari , me thikë në banesë. Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari e bëri të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fitore Sadikaj, raporton “Betimi për Drejtësi“. “Nuk e ndjej veten fajtor”,…

Lajme

21/05/2025 16:59

I akuzuari Gent Myftari, është deklaruar i pafajshëm për akuzën se e ka vrarë vëllanë e tij Auron Myftari , me thikë në banesë.

Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari e bëri të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fitore Sadikaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Nuk e ndjej veten fajtor”, tha i akuzuari.

Paraprakisht, gjykatësi i rastit Avni Syla tha se në seancë është ftuar të marrë pjesë edhe eksperti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike dhe se ftesën e ka pranuar në mënyrë në rregullt, por nuk e ka arsyetuar mungesën.

Po ashtu, para deklarimit të të akuzuarit rreth fajësisë, gjykatësi Syla ia lexoi të drejtat atij.

Gjithashtu, gjykatësi bëri me dije se në ekspertizën e Institutit të Psikiatrisë Forenzike është konstatuar se i akuzuar G.M., ka çrregullime psikologjike, por se mund të marrë pjesë në gjykim, kupton atë që ndodh dhe se duhet t’i marrë parasysh deklarimet e tij.

Pas deklarimit të të akuzuarit, gjykatësi Syla njoftoi mbrojtësin e tij, avokatin Kadri Bicaj me të drejtën për kundërshtim të provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës në afat prej 30 ditësh.

Ndryshe Prokuroria Themelore në Prishtinë më 8 maj 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj G.M., me propozim për shqiptim të masës për trajtim të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor.

Sipas aktakuzës, G.M., akuzohet se më 27 tetor 2024, rreth orës 20:40 në banesën e tij, pas një mosmarrëveshje, merr një thikë të kuzhinës dhe me qëllim që ta privojë nga jeta e godet disa herë në pjesë të ndryshe të trupit vëllanë e tij- tani të ndjerin A.M., i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Me këto veprime, G.M., akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 të Kodit Penal.