Deklarata e Trumpit, Hoxhaj: Shenjë se mund të jemi temë në agjendën e politikës së jashtme amerikane
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka komentuar deklaratën e presidentit amerikan, Donald Trump se do t’i kthehet çështjes Kosovë-Serbi. Për Klankosova.tv, Hoxhaj tha se kjo deklaratë e presidentit të ShBA-së tregon që jemi në vëmendje të Trumpit dhe është një shenjë paralajmëruese se shpejt mund të jemi në agjendën e politikës së…

Lajme
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka komentuar deklaratën e presidentit amerikan, Donald Trump se do t’i kthehet çështjes Kosovë-Serbi.
Për Klankosova.tv, Hoxhaj tha se kjo deklaratë e presidentit të ShBA-së tregon që jemi në vëmendje të Trumpit dhe është një shenjë paralajmëruese se shpejt mund të jemi në agjendën e politikës së jashtme amerikane.
“Kjo deklaratë e presidentit Trump as nuk duhet të mbiinterpretohet dhe as nënvlerësohet, ndonëse është thënë duke krahasuar marrëdhëniet Kosovë-Serbi me rastet e tjera në botë. Tregon që jemi në vëmendje të Trumpit dhe është një shenjë paralajmëruese se mund të jemi herët apo vonë, temë në agjendën e politikës së jashtme amerikane”, u shpreh Hoxhaj.
Tutje, ai tha se për këtë gjë, Kosova duhet të jetë e përgatitur si institucionalisht, ashtu edhe politikisht.
Ndryshe, në një postim në platformën Truth Social, ku foli edhe për marrëdhëniet mes Iranit dhe Izraelit, Donald Trump theksoi se gjatë mandatit të tij të parë arriti të parandalojë një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë, i cili, sipas tij, ishte afër shpërthimit.
“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po përballeshin me forcë, ashtu siç kanë bërë për dekada, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË”, shkroi ai.