Degjenerim serioz i UP’së

Enver Hasani konsideron se segmentet të caktuara të proceseve akademike dhe studentore kanë pësuar një degjenerim serioz. Ai thotë se Univeristeti i Prishtinës, për fat të keq, është transformuar si një aset i përfitimeve personale.

Lajme

07/01/2014 22:22

Ish Rektori i Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, thotë se zhvillimet në këtë institucion të arsimit të lartë janë shqetësuese jo vetëm për personelin akademik dhe studentët, por edhe për qytetarët e Kosovës.

Hasani, që tani është Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, deklaroi të martën mbrëma në Emisionin Rubikon të KTV’së se UP ka pësuar një degjenerim serioz.

“Zhvillimet e fundit në Universitetin e Prishtinës mendoj që duhet ta shqetësojnë çdokënd, jo vetëm mua si ish-udhëheqës i tij, por të gjithë profesorët, studentët dhe qytetarët e Kosovës, për arsye se është një pjesë emblematike e identitetit secilit prej nesh”.

“Është hera e parë që ka akuza serioze nga organi i akuzës për krim të organizuar dhe veprimtari të thellë kriminale, që nuk lënë asnjë dyshim që segmentet e caktuar të proceseve akademike dhe studentore kanë pësuar një degjenerim serioz”.

“Meqenëse unë kam qenë udhëheqës i Universitetit, politikat e regjistrimeve ata që kanë punuar me mua e dinë shumë mirë se ne kemi qenë rigorozë në çështjet e pranimeve dhe jam i sigurt që në disa fakultete, ta zëmë Mjekësi, Stomatologji, Farmaci, Inxhinieri elektrike, Arkitekturë dhe Ndërtimtari jam qind për qind i sigurt që kurrën e kurrës nuk pasur të regjistruar jashtë ligjeve jashtë afatit”.

Akronimet e Universitetit të Prishtinës – UP, pas luftë për shumëkë kanë marrë një kuptim tjetër. Shumëkush e ka cilësuar këtë institucion se Universitet të Politikës, për shkak të politizimit të tij.

Por, sa është i politizuar UP, sipas ish Rektorit të tij, Enver Hasani?

“Universiteti i Prishtinës për fat të keq është transformuar si një aset i përfitimeve personale. Nuk është punë vetëm e politizimit, ta dini”.

“Postet e të parit dhe të tjerëve ndahen sipas çelësit politik”.

I pyetur gjatë intervistës në Rubikon të KTV’së, se a është zgjedhur nga politika edhe rektori i tanishëm, Ibrahim Gashi, Hasani thotë se zgjedhja e tij dihet si ka ardhur.

“Ajo çka ka qenë publike ka qenë pjesë e koalicionit qeveritar. Ajo dihet”.

Por, pyetja që shtohet sot është se si të nxirret UP nga kjo gjendje.

“Unë besoj se duhet të arrihet një konsensus i të gjitha forcave politike dhe shoqërisë civile të krijohet një vijë e kuqe për të ardhmen që dinamika që zhvillohet për jetën universitare dhe akademike të jenë çështje për atë universitet për ndryshe është problem”.

Enver Hasani gjatë kësaj interviste në KTV është pyetur edhe për shkrimet e fundit në disa media, në të cilat është thënë se ai është nën hetim dhe se së shpejti do të thirret edhe nga Prokuroria për një tender 1 milionësh, për kohën sa ishte Rektor i UP’së.

Por, Hasani ka mohuar duke thënë se nuk ka asgjë të vërtetë në ato që është shkruar.

“Absolutisht nuk ka. Hiç kurrë”.

“Nuk jam marrë kurrë me atë punë, jo vetëm unë, por po ju garantoj se edhe vartësit e mi që kanë qenë në kohën time, jo vetëm që nuk mund të ndodhë ajo por as një bisedë në mandatin timin kurrën e kurrës nuk ka pasur”.

“Unë kam vendos të bëjë padi civile edhe do t`i shkoj kësaj pune deri në fund”.