Deficiti tregtar i Kosovës rritet 16%, eksportet mbulojnë vetëm 15% të importeve
Deficiti tregtar i Kosovës, që nënkupton dallimin mes vlerë së importeve dhe eksporteve të një vendi, është rritur për 16.1 për qind në muajin qershor 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 578.3 milionë euro. Eksportet kanë mbuluar vetëm 15 për qind të importeve, bëjnë të ditur të dhënat…
Lajme
Deficiti tregtar i Kosovës, që nënkupton dallimin mes vlerë së importeve dhe eksporteve të një vendi, është rritur për 16.1 për qind në muajin qershor 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 578.3 milionë euro.
Eksportet kanë mbuluar vetëm 15 për qind të importeve, bëjnë të ditur të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Sipas ASK-së, eksporti i mallrave gjatë qershorit arriti vlerën 102 milionë euro, duke shënuar rritje prej 26.9 për qind në baza vjetore. Ndërkohë, importi u rrit për 17.6 për qind, duke arritur në 680.3 milionë euro.
Në strukturën e eksporteve dominojnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, të cilat përbëjnë 27.4 për qind të vlerës së përgjithshme të eksporteve.
Pas tyre renditen ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 12.7 për qind, plastika, goma dhe artikujt prej tyre me 10.6 për qind, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 8.7 për qind dhe produktet minerale me 7.1 për qind.
Sa i përket importeve, pjesën më të madhe e zënë produktet minerale me 15.2 për qind, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike me 13 për qind, mjetet e transportit me 12 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 11.9 për qind, si dhe metalet bazë me 9.8 për qind.
Vendet e Bashkimit Evropian vazhdojnë të jenë ndër partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës. Eksportet drejt vendeve të BE-së arritën në 32.5 milionë euro, ose 31.9 për qind të eksporteve totale, me Gjermaninë, Holandën dhe Italinë si destinacionet kryesore. Në të njëjtën kohë, importet nga BE-ja arritën në 304.9 milionë euro, ose 44.8 për qind të importeve të përgjithshme, ku Gjermania, Italia dhe Polonia ishin furnizuesit kryesorë.
Edhe vendet e CEFTA-s mbeten partnerë të rëndësishëm tregtarë. Eksportet në këtë treg arritën në 44 milionë euro, ose 43.1 për qind të totalit, ndërsa importet nga vendet e CEFTA-s ishin 98.7 milionë euro, që përbëjnë 14.5 për qind të importeve të përgjithshme. Partnerët kryesorë ishin Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia.
Në tregjet jashtë BE-së dhe CEFTA-s, Zvicra dhe Turqia ishin destinacionet kryesore për eksportet e Kosovës, ndërsa Kina dhe Turqia mbetën burimet kryesore të importeve, thuhet në raportin e ASK-së për statistikat e tregtisë së jashtme të vendit.
