Deda: Zyra e Presidentes, më meritorja për MSA-në
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda, thotë se meritat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, nuk i ka ministri i Jashtëm Hashim Thaçi dhe as kryeministri Isa Mustafa.

Lajme
Në një postim në Facebook, Deda vlerëson se meritat kryesore për arritjen e nënshkrimit të MSA-së, i ka zyra e presidentes Atifete Jahjaga, duke shtuar se në fund të fundit, MSA është meritë e gjithë Kosovës, raporton lajmi.net.
Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të deputetit Ilir Deda:
Pasi filloi beteja për përvetësimin e meritave për MSA, një përkujtim: prej prillit deri në dhjetor 2011 ishte një Zyrë tjetër institucionale – jo Qeveria – që kërkoi me ngulm, zyrtarisht prej BE-së dhe shteteve anëtare të BE-së dhe nga SHBA që Kosova të kishte marrëdhenie kontraktuale me BE-në. Në atë kohë Thaçi kërkonte liberalizim të vizave, dhe nuk mund të dilte nga Kosova. Në atë kohë Mustafa thoshte se dialogu me Serbinë për punë të brendshme të Kosovës ishte i dëmshëm.
Pikërisht në shtator 2011, gjatë vizitës në Bruksel, Komisionerët e atëhershëm për Zgjerim dhe Politikë të përbashkët të Jashtme e të Sigurisë ndëgjuan kërkesën dhe elaborimin e thuktë për nevojën që Kosova dhe BE-ja të lidhnin marrëdhënie kontraktuale.
Me këtë rast një falemnderim të veçantë për Venera Hajrullahun, Qëndrim Gashin, Ilir Salihun, Arbër Vllahiun dhe Ramush Tahirin, ekipin e atëhershëm te Presidentja Jahjaga. Falemnderim edhe Presidentes, që pandalur e shtyu këtë agjendë përpara.
MSA-ja në fund është meritë e gjithë Kosovës. E dokumenti ka mundur të jetë edhe më i mirë, nëse disa në pushtet do të ishin fokusuar më shumë për interes të shtetit se sa kryekëput për interesa të tyre.