Deçanasit i bëjnë homazhe Beg Rizajt
Në Pallatin e Kulturës “Jusuf Gërvalla” në Deçan kanë filluar homazhet në nderim të të rënit në Kumanovë, Beg Rizaj.

Lajme
Para arkivolit të Beg Rizajt, të mbuluar me flamurin kombëtar, po bëjnë roje nderi bashkëqytetarë të tij të veshur me uniforma të UÇK-së.
Ata janë bashkëluftëtarët e tij nga njësiti i UÇK-së “Shqiponjat e Zeza”, ku Begu ishte epror gjatë luftës në Kosovë.
Në ndërkohë shumë qytetarë të Deçanit kanë filluar të bëjnë homazhe para arkivolit të ish-luftëtarit të UÇK-së.
Sot në orën 14 pritet të mbahet tubimi mortor në sheshin e Deçanit, ndërsa Rizaj do të varroset në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan.
Beg Rizaj, nga fshati Prekolluk i Deçanit, u vra më 9 maj në Kumanovë gjatë përleshjeve të armatosura me policinë maqedonase.
Në këtë përleshje janë vrarë edhe tetë shtetas tjerë të Kosovës, të cilët pritet të varrosen të martën në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë./Kosovapress/