Debatik Curri komenton për lajmi.net sukseset e Shqipërisë: Sylvinhos i takojnë meritat kryesore, por edhe këta dy futbollistë

Kombëtarja e Shqipërisë tashmë është me një këmbë në “Euro 2024”. “Kuqezinjtë” sipas të gjitha gjasave e kanë prerë “biletën” për Kampionatin Evropian që organizohet vitin tjetër në Gjermani. Fitorja e fundit ndaj Çekisë me rezultat 3:0 në Tiranë i dha një shtysë të madhe Kombëtares së drejtuar nga braziliani Sylvinho. Shqipëria i ka edhe…

Sport

15/10/2023 18:08

Kombëtarja e Shqipërisë tashmë është me një këmbë në “Euro 2024”.

“Kuqezinjtë” sipas të gjitha gjasave e kanë prerë “biletën” për Kampionatin Evropian që organizohet vitin tjetër në Gjermani.

Fitorja e fundit ndaj Çekisë me rezultat 3:0 në Tiranë i dha një shtysë të madhe Kombëtares së drejtuar nga braziliani Sylvinho.

Shqipëria i ka edhe dy ndeshje deri në fund të këtij cikli kualifikues.

Fillimisht përballet me Moldavinë në udhëtim, derisa në “luftën” e fundit pret Ishujt Faroe në Tiranë. Këto ndeshje zhvillohen në nëntor.

Shqipëria kryeson Grupin E me 13 pikë, katër më shumë se Polonia e vendit të dytë.

Çekia renditet e treta me tetë pikë, aq sa ka edhe Moldavia. Të pesta në grup janë Ishujt Faroe.

Ish-lojtari i kombëtares shqiptare, Debatik Curri, në një intervistë për lajmi.net ka folur për ecurinë e Kombëtares në eliminatoret për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

“Ky cikël eliminator ka qenë shumë i mirë për Shqipërinë. Shqipëria bëri një ndeshje të madhe ndaj Çekisë. Të gjithë dhanë maksimumin edhe mendoj se me meritë arritën edhe të fitojnë ndeshjen. Ka qenë emocion shumë i madh për të gjithë ne”, ka deklaruar Debatik Curri që dikur ka qenë një ndër shtyllat e Kombëtares “kuqezi”.

Curri që tashmë e drejton FC Prishtinën si trajner ka shtuar se suksesi i Shqipërisë vjen pasi skuadra nuk ka frikë nga asnjë kundërshtar.

“Normalisht ka qenë shumë e vështirë të arrihet në këtë pikë. Por, thash edhe më herët të gjitha ndeshjet në këtë cikël kanë qenë shumë të mira dhe Kombëtarja ka arritur në një pikë ku nuk po ka frikë tek asnjë kundërshtar. Mendoj që grupi i mirë bashkë me trajnerin i kanë bërë më të lehta këto rezultate”, shtoi ai.

Ish-qendërmbrojtësi dhe mesfushori i Shqipërisë meritën kryesore për suksesin e arritur ia ka atribuuar përzgjedhësi, Sylvinho.

“Normalisht meritat jonë të të gjithëve, duke filluar nga Federata dhe presidenti, Armand Duka që ka bërë zgjedhjen e trajnerit, e të gjithë futbollistëve. Normalisht trajneri mendoj ka qenë pika kryesore në këtë grup, ku ka arritur nga çdo futbollist ta marr maksimumin. Ai ka sjell emra që askush nuk i ka ftuar më parë në kombëtare, por edhe duke e menaxhuar grupin në mënyrën më të mirë”, pohoi Curri të dielën.

Tutje, ai ka folur edhe për lojtarët që i kanë lënë mbresa në këto ndeshje.

“Normalisht të gjithë futbollistët kanë bërë paraqitje shumë të mira, por unë do të doja ta veçoja Jasir Asanin, i cili ka shënuar gola vendimtare në këto eliminatore. Gjithashtu, lojtari kyç në të gjitha ndeshjet ka qenë edhe Ylber Ramadani. Konsideroj se Shqipëria tashmë veçse është kualifikuar”, përfundoi ai.

39-vjeçari nga Prishtina ka zhvilluar 44 paraqitje me fanellën “kuqezi” para se të pensionohet nga Kombëtarja.

Ai si futbollist ka bërë karrierë në Kosovë, Ukrainë, Turqi e Shqipëri. /Lajmi.net/