Debat për projektligjin e çmimeve tavan – kërkohen sqarime për pavarësinë e bordit dhe mënyrën e caktimit të marzhës

Projektligji për kufizimin e çmimeve të produkteve bazë ka nxitur përplasje mes pozitës dhe opozitës, me kritika të forta për mënyrën e hartimit dhe mekanizmat që parasheh. Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, vuri në pikëpyetje gjithë procesin e konsultimeve, duke theksuar se drafti aktual ndryshon ndjeshëm nga versioni i mëparshëm. Ajo u shpreh se nuk…

Lajme

08/04/2026 13:48

Projektligji për kufizimin e çmimeve të produkteve bazë ka nxitur përplasje mes pozitës dhe opozitës, me kritika të forta për mënyrën e hartimit dhe mekanizmat që parasheh.

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, vuri në pikëpyetje gjithë procesin e konsultimeve, duke theksuar se drafti aktual ndryshon ndjeshëm nga versioni i mëparshëm. Ajo u shpreh se nuk mund të konsiderohet i njëjti ligj për të cilin janë zhvilluar diskutime publike, transmeton lajmi.net.

“Ju keni mbajtur konsultime publike për këtë projektligj dhe konsultime në tryeza publike, që të dyja këto kanë qenë për tjetër ligj,” tha ajo, duke shtuar se ndryshimet janë të konsiderueshme dhe e bëjnë të domosdoshme një proces të ri konsultimi.

Ymeri ngriti shqetësime edhe për mënyrën se si është konceptuar bordi që do të mbikëqyrë zbatimin e ligjit, duke e konsideruar të diskutueshme pavarësinë e tij. Sipas saj, mënyra e emërimit dhe përfshirja e një numri të kufizuar personash në vendimmarrje krijon hapësirë për ndikim të drejtpërdrejtë.

Një tjetër pikë kritike ishte mungesa e qartësisë për marzhën tregtare. Deputetja theksoi se ndonëse kjo çështje përmendet shpesh, nuk është e saktësuar në mënyrë të qartë në vetë ligjin.

Nga ana tjetër, ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, mbrojti projektligjin duke theksuar se ai synon të adresojë një problem të prekshëm për qytetarët.

“Sot para nesh kemi një projektligj që synon të adresojë një prej shqetësimeve kryesore të qytetarëve tanë: koston e jetesës dhe sigurinë e furnizimit me produkte bazë në kohë krizash,” deklaroi ajo.

Kusari-Lila theksoi se drafti i ri është përmirësuar pas vërejtjeve të mëparshme dhe nuk synon të kontrollojë tregun në mënyrë të përhershme, por të krijojë një mekanizëm reagimi në situata të jashtëzakonshme.

“Ky projektligj i jep qeverisë dhe bordit kompetencën që në situata të jashtëzakonshme, të intervenojë me masa të përkohshme,” u shpreh ministrja, duke shtuar se qëllimi është të parandalohet rritja e pajustifikuar e çmimeve.

Ajo sqaroi gjithashtu se përllogaritja e marzhës do të bazohet në kosto reale, duke përfshirë shpenzimet e importit për produktet e huaja dhe kostot e prodhimit për ato vendore, në mënyrë që bizneset të mos dëmtohen, por as të mos ketë abuzime në treg.

Në fund, ministrja u bëri thirrje deputetëve që ta mbështesin nismën, duke e cilësuar si të domosdoshme për mbrojtjen e konsumatorëve dhe stabilitetin e çmimeve në vend./lajmi.net/