De Biasi – Shqipëria, ndodh diçka fantastike (FOTO)

Pak vite më vonë, situata nuk është më e njëjtë, sepse në Kombëtaren e krijuar nga Gianni De Biasi nuk shënojnë vetëm sulmuesit.

Sport

13/06/2017 18:43

Fjala “gol” ishte një mision i pamundur për futbollistët e Kombëtares shqiptare në vitet e kaluara, të paktën për ata që luanin larg zonës kundërshtare. Golat shpeshherë vinin nga sulmuesit si Bogdani, Bushi, Rraklli dhe të tjerë, por edhe nga lojtarë si Skela dhe Duro që kishin saktësi nga goditjet standarde.

Pak vite më vonë, situata nuk është më e njëjtë, sepse në Kombëtaren e krijuar nga Gianni De Biasi nuk shënojnë vetëm sulmuesit, por edhe të tjerë. Me shifra: 23 futbollistë të ndryshëm kanë arritur të gjejnë rrugën e rrjetës që nga koha kur në drejtimin e Kombëtares shqiptare qëndron trajneri italian.

MEMUSHAJ ME SHOKË

I fundit që iu shtua listës së “goleadorëve” të kuqezinjve ishte mesfushori vlonjat Ledian Memushaj. Në një ndeshje kur pati detyra që të luante më shumë afër portës kundërshtare ai theu “mallkimin” e golit dhe vulosi fitoren historike të Shqipërisë në Izrael.

Si Memushaj janë edhe shtatë lojtarë të tjerë që kanë arritur të gjejnë rrugën e rrjetës vetëm një herë me fanellën kuqezi dhe këta janë Bakaj, Vajushi, Manaj, Rrahmani, Gashi, Gjimshiti dhe Arlind Ajeti.

Disa prej tyre kanë realizuar golat në ndeshjet miqësore, ndërsa të tjerë kanë qenë vendimtarë për t’i dhënë pikë të rëndësishme ekipit kombëtar.

SADIKU NË KRYE

Lista vazhdon me lojtarët që kanë shënuar nga dy gola, mes tyre edhe nga ata që nuk janë më pjesë e Kombëtares si Salihi, Meha, Vila, por edhe lojtarë të rëndësishëm si Cikalleshi, Kaçe dhe Odise Roshi. Një gol me De Biazin e ka shënuar edhe Hyka, ndërsa golin tjetër e realizoi kur ishte më përpara në radhët e kuqezinjve.

Nga tre gola kanë futbollistë si Bogdani, Valdet Rama dhe Ermir Lenjani. Basha dhe Mavraj gjithashtu e kanë gjetur rrjetën 3 herë, ndërkohë që me katër gola janë sulmuesit Edgar Çani dhe Bekim Balaj.

Në krye të listës qëndron Armando Sadiku me nëntë gola, i cili ka shënuar golin e parë në ndeshjen zyrtare të Xhani De Biazit kundër Qipros. Sulmuesi kuqezi ka pasur një ecuri shumë pozitive dhe ka ruajtur “shënjestrën” para portës kundërshtare.