Daut Haradinaj, nga Aleanca, ka kërkuar një qasje të koordinuar institucionale dhe gjithëkombëtare ndaj zhvillimeve që lidhen me Dhomat e Specializuara në Hagë.
Përmes një reagimi, Haradinaj ka thënë se përballja me atë që ai e cilëson “gjykatë politike” kërkon tejkalimin e përplasjeve të përditshme politike dhe bashkërendimin e hapave të mëtejshëm.
“Strategjia ndaj kësaj gjykate politike u kërkon të gjithëve, pashmangshëm, të dalin mbi politikat ditore, të brendshme e banale”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij, në këtë fazë nuk mjafton vetëm një strategji shtetërore, por nevojitet një qasje më e gjerë, e koordinuar me faktorët politikë në vend, Shqipërinë dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Në këtë pikë nuk mjafton vetëm një strategji shtetërore, e cila do të duhej të ishte tashmë e padiskutueshme. Kërkohet një qasje gjithëkombëtare”, ka deklaruar ai.
Haradinaj ka kërkuar që hapat e ardhshëm të bashkërendohen me të gjithë faktorët vendorë dhe aleatët ndërkombëtarë.
“Duhet bashkërendim i hapave të mëtejshëm me secilin faktor vendor dhe me aleatët ndërkombëtarë. Nuk është momenti për të hedhur topin nga njëra palë te tjetra, as për t’ia kaluar përgjegjësinë njëri-tjetrit”, ka shkruar ai.
Deputeti i Aleancës u ka bërë thirrje subjekteve politike që të mblidhen urgjentisht për të diskutuar veprimet e mëtejshme institucionale.
“Populli është në sheshe. Politika duhet të ulet në tavolinë. URGJENTISHT!”, ka theksuar Haradinaj.
Ai ka shtuar se takimet ndërmjet faktorëve politikë duhet të fokusohen në koordinimin e qëndrimeve dhe reagimeve shtetërore, e jo në çështje të pushtetit.
“Dhe jo të ulen skutave për pushtet, por për ide dhe reagime shtetërore, bashkë me Shqipërinë dhe aleatët tanë”, ka përfunduar Haradinaj. /Lajmi.net/