Daut Haradinaj pas vr*sjes së Arlinda Zekajt: Mbiemri Haradinaj nuk është mburojë për askënd
Daut Haradinaj ka reaguar pas vr*sjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe duke theksuar se mbiemri Haradinaj nuk duhet të përdoret për të krijuar përshtypjen se dikush është i paprekshëm. Haradinaj ka deklaruar se pas një tragjedie të tillë, vendi ka nevojë për llogaridhënie konkrete, shkarkime dhe ndëshkime, e jo vetëm…
Lajme
Daut Haradinaj ka reaguar pas vr*sjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe duke theksuar se mbiemri Haradinaj nuk duhet të përdoret për të krijuar përshtypjen se dikush është i paprekshëm.
Haradinaj ka deklaruar se pas një tragjedie të tillë, vendi ka nevojë për llogaridhënie konkrete, shkarkime dhe ndëshkime, e jo vetëm për deklarata politike.
Ai ka kritikuar mosveprimin institucional në rastet e dhunës ndaj grave, duke kërkuar që të gjithë mekanizmat përgjegjës të japin llogari për veprimet dhe mosveprimet e tyre.
Duke iu referuar deklarimeve të avokates që kishte përfaqësuar Arlinda Zekajn, Haradinaj ka ngritur pikëpyetje se pse shqetësimet për ndikimin e mundshëm të të dyshuarit nuk u adresuan në institucionet përkatëse para se të ndodhte tragjedia. Ai ka kërkuar gjithashtu reagim nga Oda e Avokatëve të Kosovës lidhur me çështjet e përgjegjësisë profesionale.
“Askush nuk mund ta përdorë mbiemrin Haradinaj për të krijuar përshtypjen se dikush është i paprekshëm”, ka deklaruar ai.
Haradinaj ka theksuar se familja e tij nuk përbën mburojë për askënd dhe se çdo pretendim që e lidh mbiemrin Haradinaj me raste të tilla duhet të mbështetet në fakte.
Ai ka paralajmëruar pasoja ligjore për këdo që, sipas tij, e përdor mbiemrin e familjes pa fakte ose për të kërcënuar të tjerët.
Në të njëjtën kohë, Haradinaj u ka bërë thirrje personave që ndihen të kërcënuar nga individë që pretendojnë se kanë lidhje me familjen e tij, që ta kontaktojnë drejtpërdrejt.
Në fund të reagimit, ai ka thënë se që nga përfundimi i luftës më 1999, angazhimi i familjes së tij ka qenë për sigurinë e qytetarëve, sovranitetin dhe të ardhmen e Kosovës.
Ndërkohë, rasti i Arlinda Zekajt ka nxitur reagime dhe thirrje të shumta për përgjegjësi institucionale dhe forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e grave nga dhuna. /Lajmi.net/