Dardan Molliqaj: PSD mbështet protestën e veteranëve kundër Gjykatës Speciale – “UÇK nuk mund të gjykohet”

Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) ka shpallur mbështetjen e saj të plotë për protestën e paralajmëruar të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër Gjykatës Speciale. Në një deklaratë publike, kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, tha se zhbërja e kësaj gjykate mbetet për PSD-në kuptimi i vërtetë i drejtësisë. Sipas tij, besnikëria e pakushtëzuar…

Lajme

29/07/2025 15:50

Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) ka shpallur mbështetjen e saj të plotë për protestën e paralajmëruar të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër Gjykatës Speciale.

Në një deklaratë publike, kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, tha se zhbërja e kësaj gjykate mbetet për PSD-në kuptimi i vërtetë i drejtësisë.

Sipas tij, besnikëria e pakushtëzuar ndaj historisë së luftës çlirimtare është një nga sprovat më të mëdha të gjeneratës sonë politike dhe shoqërore, dhe kjo kauzë duhet të qëndrojë përtej çdo llogarie politike.

“Për ne, kuptimi i drejtësisë është zhbërja e kësaj gjykate. Për ta gjykuar UÇK-në, së pari duhet ta dyshojmë. Asnjë lloj verdikti që e supozon UÇK-në si të fajshme nuk sjell drejtësi, pavarësisht përmbajtjes përfundimtare të tij,” u shpreh Molliqaj.

Ai shtoi se vetë ekzistenca e Gjykatës Speciale e vendos luftën çlirimtare të Kosovës në pozitë të dyshuar dhe e relativizon të drejtën e shqiptarëve për liri dhe mbrojtje nga shtypja.

“UÇK-ja nuk mund të gjykohet. Ajo është kushti dhe mundësia për të pasur drejtësi në të ardhmen,” theksoi kryetari i PSD-së.

Deklarata e Molliqajt vjen në një moment kur gjithnjë e më shumë zëra nga shoqëria dhe skena politike po e sfidojnë legjitimitetin dhe funksionimin e Gjykatës Speciale, duke e konsideruar si një padrejtësi të ndarë dhe selektive që bie në kundërshtim me frymën e drejtësisë tranzicionale.

Protesta e veteranëve, e planifikuar për ditët në vijim, pritet të mbledhë përkrahës nga radhët e ish-luftëtarëve, organizatave të dala nga lufta dhe partive politike që e kundërshtojnë në parim Gjykatën Speciale.

Postimi i plotë i Dardan Molliqajt: 

Partia Sociademokrate mbështet protestën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër Gjykatës Speciale. Besnikëria e pakusht ndaj historisë së luftës çlirimtare është nga sprovat më të rëndësishme të gjeneratës tonë. Prandaj kjo është kauzë përtej çdo llogarie. Prandaj nuk duhet të kursehemi.
Për ne kuptimi i drejtësisë është zhbërja e kësaj gjykate. Për ta gjykuar UÇK-në, së pari duhet ta dyshojmë. Asnjë lloj verdikti që e supozon UÇK-në si të fajshme nuk sjellë drejtësi, pavarësisht përmbajtjes përfundimtare të tij. Sepse UÇK nuk mund të gjykohet. Ajo është kushti dhe mundësia për të pasur drejtësi në të ardhmen./lajmi.net/