Danimarka e Grenlanda kundër Trump, gati për mbrojtjen e përbashkët të Arktikut
Grenlanda dhe Danimarka kanë rënë dakord të forcojnë lidhjet në përgjigje të interesit të presidentit amerikan Donald Trump për të marrë kontrollin e ishullit strategjik të Arktikut, deklaruan liderët pas bisedimeve në Kopenhagë. Kryeministri i ri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, nisi dje një vizitë tri-ditore në kryeqytetin danez, si shenjë e unitetit të territorit të…

Bota
Grenlanda dhe Danimarka kanë rënë dakord të forcojnë lidhjet në përgjigje të interesit të presidentit amerikan Donald Trump për të marrë kontrollin e ishullit strategjik të Arktikut, deklaruan liderët pas bisedimeve në Kopenhagë.
Kryeministri i ri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, nisi dje një vizitë tri-ditore në kryeqytetin danez, si shenjë e unitetit të territorit të tij gjysmë autonom, të pasur me minerale daneze me Danimarkën.
“Ne jemi në një situatë të politikës së jashtme që tregon nevojën për t’u afruar,” tha Nielsen në një konferencë të përbashkët me kryeministren daneze Mette Frederiksen.
Të dy kryeministrat u takuan mes muajsh tensioni mbi deklaratat e përsëritura të Trump se Grenlanda duhet të bëhet pjesë e SHBA-së, raporton KosovaPress.
“Ne jemi gati për një partneritet të fortë (me SHBA) dhe zhvillim më të madh, por duam respekt. Ne kurrë nuk do të jemi një pjesë e pronës që dikush mund ta blejë,” tha Nielsen.
Ai shtoi gjithashtu se zgjerimi i vazhdueshëm i konsullatës amerikane në Nuuk, kryeqyteti i Grenlandës, për të cilin u ra dakord edhe para se Trump të merrte detyrën, po shkakton ankth te grenlandezët.
Frederiksen tha se Danimarka ishte e gatshme të investonte më shumë në Grenlandë dhe ta mbështeste financiarisht duke marrë më shumë përgjegjësi për punët e saj të brendshme nga Kopenhaga, si pjesë e asaj që ajo e përshkroi si një “modernizim” të marrëdhënies së tyre.
Danimarka ka bërë thirrje për rritje të bashkëpunimit me SHBA-në në fushën e mbrojtjes së Arktikut. Nielsen dhe Frederiksen thanë sot se ishin të përkushtuar për forcimin e mbrojtjes në rajon.
Kujtojmë, mbreti danez Frederik do të udhëtojë në Grenlandë të hënën si një shfaqje e mëtejshme solidariteti.