Daka: Raportimet e DnV-së të pavërteta
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka thotë se raportimet e DnV-së, se në Skenderaj po mbushen kutitë e votimeve, janë të pavërteta.
Lajme
Në një intervistë të shkurtër dhënë për RTK, Daka tha se për këtë çështje do të prononcohet Prokuroria e Shtetit dhe Policia, por sipas saj, informatat që KQZ-ja ka, asgjë nga ajo që po pretendon DnV nuk ka ndodhur.
“Me kënaqësi mund të them se deri më tani procesi ka shkuar shumë mirë, nuk kemi pasur ndonjë problem”.
“E vërteta është se Prokuroria e shtetit do të del me një komunikatë, sepse asnjë nga ato vende të cilat janë përmendur nga DnV nuk ka ndodhur asgjë, nuk ka pasur mbushje të kutive. Ky është konfirmimi zyrtar nga Policia”.
Daka tha se diku kah mesnata KQZ-ja mund të nxjerr rezultatet për subjektet politike ndërkaq për kandidatët kjo gjë pritet të ndodhë më vonë.
“Sa i përket rezultateve për subjektet politke do ti kemi rreth mesnatës”.
“Jo, rezultatet e kandidatëve kërkon më shumë kohë. Këto rezultate me siguri do ti kemi nesër”, tha Daka për RTK.