Daçiq: Sulmi ndaj policit që po ruante Ambasadën izraelite po trajtohet si akt terrorist

Zëvendëskryeministri serb, njëherësh ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, tha se një person i panjohur ka plagosur një pjesëtar të Xhandarmërisë i cili po ruante Ambasadën izraelite në Beograd. Ai tha se ky rast po trajtohet si akt terrorist. “Edhe pse identiteti i personit nuk është përcaktuar, nuk ka dyshim që ky ishte akt…

Lajme

29/06/2024 14:14

Zëvendëskryeministri serb, njëherësh ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, tha se një person i panjohur ka plagosur një pjesëtar të Xhandarmërisë i cili po ruante Ambasadën izraelite në Beograd. Ai tha se ky rast po trajtohet si akt terrorist.

“Edhe pse identiteti i personit nuk është përcaktuar, nuk ka dyshim që ky ishte akt terrorist, që kishte për shënjestër edhe shtetin e Serbisë, edhe anëtarët e Xhandarmërisë”, tha Daçiq për gazetarët, teksa vizitoi në Qendrën e Emergjencës policin e plagosur.

Ai tha se ende nuk dihet nëse ky person ka vepruar i vetëm apo ishte pjesë e ndonjë grupi të organizuar, duke shtuar se Zyra e Prokurorit Special ka marrë përsipër rastin.

Paraprakisht, Ministria e Brendshme e Serbisë tha se rreth orës 11:00, një person i panjohur, ” identiteti i të cilit po përcaktohet, qëlloi me hark me shigjeta një anëtar të Xhandarmërisë i cili po ruante Ambasadën e Izraelit, duke e goditur në qafë”.

Në njoftim u tha se pjesëtari i Xhandarmërisë M.J (1990) ka përdorur armën në vetëmbrojtje, duke qëlluar sulmuesin, i cili vdiq si pasojë e plagëve të marra.

Gjatë adresimit para mediave, Daçiq tha se pjesëtarët e Xhandarmërisë serbe rregullisht ruajnë ambasadat, ndërkaq ambasadorëve iu ofrohet një njësi e posaçme e Ministrisë së Mbrojtjes.

Duke dhënë detaje për sulmin, ai tha se sulmuesi iu afrua policit në disa raste, duke e pyetur për një muze dhe gjëra të tjera dhe xhandari i ishte përgjigjur se nuk kishte muze në atë zonë.

“Dhe më pas ky person i panjohur u kthye, hapi derën e ambasadës, duke bartur një çantë nga e cila nxori harkun dhe e qëlloi xhandarin me shigjetë në qafë”, tha Daçiq.

Ai shtoi se sipas informacioneve që ka, polici reagoi menjëherë, nxori armën dhe e qëlloi sulmuesin.
“Ai e qëlloi sulmuesin disa herë dhe pas gjysmë ore ai vdiq”, tha Daçiq.

Pjesëtari i Xhandarmërisë është transportuar në Qendrën Emergjente dhe po i nënshtrohet një operacioni për heqjen e shigjetës që ka në qafë.

Serbia ka mbajtur raporte të ngushta me Izraelin, shtet që po vazhdon operacionet ushtarake në Gazë, kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.