D+ kërkon përmirësim të koordinimit institucional dhe komunikimit me të mirë me publikun në kohën e pandemisë

Demokraci Plus publikoi analizën “Përmirësimi i koordinimit institucional dhe komunikimit me publikun në kohën e emergjencës së shëndetit publik”.

Lajme

06/05/2020 15:51

D+ thotë se, me gjithë punën e mirë që po bën Qeveria, Ministria e Shëndetësisë rreth menaxhimit të emergjencës së shëndetit publik të shkaktuar nga COVID-19, janë disa aspekte të cilat kanë hapësirë për përmirësime dhe rrjedhimisht kontribuojnë në menaxhim më të mirë të kësaj situate si: rritja ose përmirësimi i koordinimit institucional në menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, përmirësimi dhe unifikimi optimal në komunikimin e Qeverisë me qytetarët, dhe publikimi i vendimeve dhe njoftimeve lehtë të qasshme për publikun.

Duke u bazuar në këto elemente, Demokraci Plus rekomandon që sa i përket koordinimit institucional:

  • Qeveria duhet të caktojë vetëm një trup ndër-ministror (komision, këshill, grup) si përgjegjës për menaxhimin e situatës;
  • Pavarësisht se cili është mekanizmi institucional, Ministria e Shëndetësisë duhet të jetë udhëheqëse e këtij trupi ngase natyra e emergjencës është në lidhje me punën e Ministrisë së Shëndetësisë;
  • Qeveria, nëse vendos që trup tjetër nga Këshilli i Sigurisë së Kosovës duhet të menaxhojë këtë situatë, prapë duhet të mbledhë më shpesh Këshillin e Sigurisë së Kosovës në situatë normale përmes të cilit siguron koordinim edhe me institucione përtej Qeverisë;
  • Kryeministri duhet të delegojë të drejtën e kryesimit në baza të rregullta të mbledhjeve të Këshillit të Sigurisë së Kosovës tek Ministri i Shëndetësisë, kurse vet mund të kryesojë vetëm në raste të veçanta dhe sipas nevojës;

Ndërsa sa i përket komunikimit me publikun dhe publikimit të vendimeve dhe njoftimeve  D+ jep këto rekomandime:

  • Ministri i Shëndetësisë (eventualisht Kryeministri) duhet t’u adresohet qytetarëve rreth menaxhimit të situatës së pandemisë;
  • Informatat e përditësuara në baza ditore duhet të jepen nga zëdhënësi i Qeverisë, në një orë të caktuar;
  • Qeveria, përkatësisht shërbimet e teknologjisë informative në zyrën e Kryeministrit, duhet të formojë një faqe për plasim të të gjitha informatave për qytetarët që lidhen me pandeminë të shkaktuar nga COVID-19, e të tjera. /Lajmi.net/

Linqet e analizës së plotë në: SHQIP