D+: Ankesat e kompanive në OSHP vonojnë investimet kapitale dhe ofrimin e shërbimeve
Në OSHP vazhdon praktika që të ketë disa herë ankesa për tenderë të njëjtë. Sipas organizatës Demokraci Plus, kësaj situate i kontribuon praktika e OSHP-së që të kthejë tenderët në rivlerësime të panevojshme.
Lajme
D+ ka ilustruar një shembull të tillë.
“Një shembull ilustrues është situata kur kompania A ankohet kundër kompanisë B e cila është rekomanduar për kontratë, ankesa aprovohet e tenderi kthehet në rivlerësim. Pas rivlerësimit AK zgjedh fitues kompaninë A, ndërsa tani kompania B ankohet kundër kompanisë A. Një praktikë e tillë vonon shumë dhënien e kontratës, me pasojë që qytetarët mbesin pa punët dhe shërbimet që janë paraparë”, thuhet në të gjeturat e D+.
D+ ka përdorur platformën [oshp.dplus.org/ ]oshp.dplus.org dhe e-Prokurimin për të nxjerrë të dhënat të cilat tregojnë se 1479 ankesa të pranuara nga OSHP gjatë vitit 2020 dhe tre muajt e parë të vitit 2021 janë vetëm për 583 tenderë unikë. Kjo nënkupton që për një tender ka pasur ankesa nga disa kompani dhe ankesa disa herë me radhë.
Nga 583 tenderë, janë nënshkruar vetëm 361 kontrata, me një kohëzgjatja mesatare prej 157 ditësh që data e njoftimit për kontratë e deri në datën e nënshkrimit të kontratës. Ndërsa për 113 tenderë që kanë pasur më shumë se një rund të ankesave (pra tenderi është kthyer së paku një herë në rivlerësim dhe përsëri ka pasur ankesa) kontrata është nënshkruar për mesatarisht pas 255 ditësh.
Për dallim, për tenderët në të cilat nuk ka fare ankesa, kontrata nënshkruhet mesatarisht pas 54 ditësh.
