Conceicao: Milani e meritonte një pikë

Sergio Conceicao zbuloi se sëmundjet e detyruan të ndryshonte planet e tij për ndeshjen e Milanit kundër Napolit dhe shpjegoi pse e la Rafael Leaon në stol. “Mendoj se e meritonim një barazim nga kjo ndeshje.” Rossonerët nuk arritën të rekuperoheshin nga një tjetër fillim i dobët, duke pësuar gol nga Matteo Politano pas vetëm…

Sport

31/03/2025 10:01

Sergio Conceicao zbuloi se sëmundjet e detyruan të ndryshonte planet e tij për ndeshjen e Milanit kundër Napolit dhe shpjegoi pse e la Rafael Leaon në stol. “Mendoj se e meritonim një barazim nga kjo ndeshje.”

Rossonerët nuk arritën të rekuperoheshin nga një tjetër fillim i dobët, duke pësuar gol nga Matteo Politano pas vetëm 64 sekondash, ndërsa Romelu Lukaku përfitoi nga një tjetër gabim në mbrojtje në minutën e 19-të.

Gjërat ndryshuan në pjesën e dytë me futjen në lojë të Rafael Leaos dhe Santiago Gimenez, megjithëse sulmuesi meksikan humbi një penallti që u prit nga Alex Meret.

Kur Luka Jovic shënoi pas një asistimi nga Theo Hernandez, Milani krijoi tension në fundin e ndeshjes, por ishte tepër vonë për të përmbysur rezultatin.

Conceicao: “Ishte një ditë e tmerrshme, por reagimi ishte pozitiv”

“Që kur kam ardhur këtu, që janë pothuajse tre muaj, nuk kam kërkuar kurrë justifikime për mungesën e kohës për stërvitje, por sot ndodhi gjithçka,” tha Conceicao për DAZN.

Ishte raportuar se Ruben Loftus-Cheek do të startonte këtë ndeshje, por ai u dërgua me urgjencë në spital për të kryer një operacion për heqjen e apendicitit.

“U zgjova në 7:30 të mëngjesit me një telefonatë nga doktori, Loftus-Cheek ishte sëmurë. Pas mesditës, biseduam me lojtarët dhe kuptuam se as Malick Thiaw nuk mund të luante sepse kishte të vjella. Pak më vonë, Rafael Leao ndjeu dhimbje në pulpë.”

“E kisha menduar tashmë të nisja pa Leaon, kështu që nuk është se ai nuk luajti për shkak të kësaj. Ai dhe Santi Gimenez kishin ardhur vonë nga detyrat me kombëtaret dhe e mora këtë në konsideratë.”

“Ishte një ditë e tmerrshme për ne. Megjithatë, reagimi në pjesën e dytë ishte shumë pozitiv, krijuam shumë raste dhe mendoj se e meritonim një pikë.”

Conceicao shpjegon konfuzionin me penalltinë e Milanit

Milani ka dështuar të shndërrojë në gol katër nga nëntë penalltitë e fituara këtë sezon në të gjitha garat, me katër lojtarë të ndryshëm që kanë humbur nga pika e bardhë.

Christian Pulisic dhe Rafael Leao i dhanë topin Santiago Gimenez, por kush duhej ta godiste realisht?

“Ka tre lojtarë që janë në listën tonë për penalltitë, ata stërviten rregullisht, por si ish-lojtar, e di që ndonjëherë vendimi merret në fushë. Mendoj se Pulisic thjesht po përpiqej t’i jepte besim shokut të tij të skuadrës, pasi ai nuk ka shënuar prej disa javësh. Nuk desha të ndërhyja në atë moment,” shpjegoi Conceicao.

“Ishte një shenjë e mirë e ekipit që ata donin ta ndihmonin njëri-tjetrin. Gjithsesi, ndjej se mund të kishim marrë një pikë me numrin e rasteve që krijuam.”

Milani mbetet në vendin e nëntë dhe tani është nëntë pikë larg nga Bologna e vendit të katërt dhe pesë pikë pas Romës që është e gjashta, duke zvogëluar në minimum shanset e kualifikimit në Ligën e Kampionëve.

“Ekipi ka potencial dhe cilësi, por duhet të gjejmë ekuilibrin e duhur. Duhet të shtyjmë më lart dhe të kemi guxim për ta bërë këtë, por Napoli arriti të kalonte presionin tonë të parë shumë lehtë në pjesën e parë,” shtoi Conceicao.

“Në pjesën e dytë pashë një qasje ndryshe, sepse në futboll nuk të mjafton vetëm cilësia, por duhet guxim, dëshirë dhe uri për të sulmuar. Nëse vuan pa topin, nuk do të jesh i freskët për të sulmuar kur e fiton atë.”

“Kam shumë besim te ky ekip, është një grup i shëndetshëm që dëshiron ta ndryshojë këtë atmosferë. Të mërkurën kemi mundësinë për ta bërë këtë.”

Milani i Conceicaos do të përballet me Interin në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë të mërkurën në mbrëmje në “San Siro”.