Çmimet e larta të naftës alarmojnë ekonominë, kërkohet ndërhyrje e menjëhershme
Rritja e çmimit të derivateve në Kosovë, që ka arritur deri në rreth 1.9 euro për litër, po vazhdon të shkaktojë shqetësime tek qytetarët dhe bizneset. Në këtë kontekst, ekonomisti Bashkim Mustafa ka kritikuar qasjen e Qeverisë ndaj menaxhimit të kësaj situate, duke theksuar se politikat aktuale po ndikojnë drejtpërdrejt në varfërimin e qytetarëve. Sipas…
Lajme
Rritja e çmimit të derivateve në Kosovë, që ka arritur deri në rreth 1.9 euro për litër, po vazhdon të shkaktojë shqetësime tek qytetarët dhe bizneset.
Në këtë kontekst, ekonomisti Bashkim Mustafa ka kritikuar qasjen e Qeverisë ndaj menaxhimit të kësaj situate, duke theksuar se politikat aktuale po ndikojnë drejtpërdrejt në varfërimin e qytetarëve.
Sipas Mustafës, një nga masat më të menjëhershme që do të sillte lehtësim për konsumatorët është heqja e përkohshme e akcizës për naftën. Ai rikujtoi se rreth 35 cent për litër paguhen vetëm për akcizë, çka sipas tij do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e çmimit final.
“Sigurisht që ndikon heqja e akcizës për një periudhë të caktuar. Ne e dimë që është 35 cen për litër paguhet direkt për akcizë. Do të ndikonte në mënyrë direkte… dhe është befasuese dhe e papranueshme që qeveria lejon deri në atë masë që të rrezikohen edhe cikli i tërë i biznese dhe qytetarët. Dhe të ul fuqinë blerës që e kanë konsumatorët… me rënien e konsumit do të bjerë edhe zhvillimi ekonomik.
Qeveria për këtë është dhe duhet t’i bëjë zgjidhje qytetasve, bizneseve. Dhe nuk duhet t’i shikojë interesin e ngushtë. Vetëm se sa mbushet buxheti. Është shumë irrelevante se a mbushet buxheti, përderisa të varfërohen qytetarët. Janë duke përdorur një politike që varfëroj qytetarët, jepu lëmosh dhe të iu dalin të iu thonë faleminderit. Kjo është një qasje dekurajuese, destruktive për bizneset dhe do të ndikojë shumë në zhvillimin ekonomik dhe do të vështirësoj edhe më tej jetën e qytetarëve të vendit”, ka thënë Mustafa në Dukagjin.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka vendosur një masë mbrojtëse për çmimet e derivateve, e cila synon të kufizojë fitimet maksimale në shitjen me shumicë dhe pakicë. Megjithatë, kjo masë nuk e ndalon rritjen e çmimeve, pasi ato varen nga tregjet ndërkombëtare dhe çmimet e importit, sidomos në kushtet e tensioneve në Lindjen e Mesme.