Ekspertët i sigurisë: Ka foto e prova ndaj dy të akuzuarve për spiunazh, që janë të mjaftueshme për gjykatën

Eksperti i sigurisë, Avni Islami deklaroi se dy agjentët sekret të BIA-së serbe e që ishin shqiptar të Kosovës kishin misione të ndryshme të obliguara nga BIA dhe se qëllimet ishin të ndryshme. Islami tha se qëllimi i njërit prej agjentëve ishte planifikimi i akteve terroriste brenda territorit të Kosovës për dobësimin e raporteve në…

Lajme

24/02/2025 19:45

Eksperti i sigurisë, Avni Islami deklaroi se dy agjentët sekret të BIA-së serbe e që ishin shqiptar të Kosovës kishin misione të ndryshme të obliguara nga BIA dhe se qëllimet ishin të ndryshme.

Islami tha se qëllimi i njërit prej agjentëve ishte planifikimi i akteve terroriste brenda territorit të Kosovës për dobësimin e raporteve në Bashkësinë Ndërkombëtare, duke nënkuptuar edhe se “populli i Kosovës është jomiqësor ndaj komuniteteve ekzistuese në vend”.

“Qëllimet e dy bashkëpunëtorëve të BIA-së ishin të ndryshme, pasi kishin misione të caktuara. I pari ishte denigrimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës [UÇK] ose bartësit e luftës. Dhe tjetri bazë kishte që brenda enklavave serbe në territorin  e Kosovës të kryejnë akte terroriste që do të mvishen popullatës e institucioneve të Kosovës. Në Bashkësinë Ndërkombëtare populli i Kosovës do të konsiderohej si jomiqësor ndaj komuniteteve të tjera dhe qëllimi i dobësimit të Kosovës ndaj të tjerëve”, tha Islami në Tv Dukagjini.

Ai shtoi se provat materiale dhe video-incizimet që janë si burim i një ngritje të aktakuzës, për rastin e dy të akuzuarve janë prova të mjaftueshme për të vazhduar tutje në Gjykatë.

“Bashkëpunimi i Policisë së Kosovës dhe AKI-së janë dy shtyllat kryesore që janë ballë problemeve të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Nuk mungon suksesi i këtyre institucioneve”, shtoi ai.

Visar Rrecaj, avokat ka deklaruar se është kureshtar se si do jetë fundi i këtij rasti të dy të akuzuarve për spiunazh.

“30 ditë pas deponimit të aktakuzës në Gjykatë, Gjykata apo trupi gjykues e cakton shqyrtimin fillestar. Personat në liri nuk e respektojnë doemos afatin kohor. Në këtë rast, Prokuroria Speciale pritet të caktojë seancën fillestare për shqyrtimin fillestar për këtë procedure penale. Vepra e kryer të dy të akuzuarit është vepër specifike dhe e veçantë”, deklaroi Rrecaj.

Rrecaj tha se shtrirja e AKI-së dhe operacionet policore tregojnë prezencën e tyre në territorin e Mitrovicës.

“Shtrirja e AKI-së në Mitrovicë nuk ka munguar. Ka pasur edhe pengesa operative. Ndoshta do të parandalohej rasti Banjska. Operativiteti ka qenë me pengesa para rastit Banjska, ndërsa tani janë më prezentë.

“Me BIA-n dhe me Serbinë. Komuniteti vazhdon të jetë i instrumentalizuar pavarësisht të shtrirjes së AKI-së dhe operacioneve policore. Një statut quo është kriju”, shtoi ai.