Çka pas moscertifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit?
Vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të mos certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit dikush po e konsideron pa bazë ligjore e dikush thotë se KQZ-ja është organ i pavarur e kolegjial dhe vendimin e ka marrë në bazë të vlerësimeve dhe provave. Megjithatë, sipas monitoruesve të proceseve zgjedhore, ky…
Lajme
Vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të mos certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit dikush po e konsideron pa bazë ligjore e dikush thotë se KQZ-ja është organ i pavarur e kolegjial dhe vendimin e ka marrë në bazë të vlerësimeve dhe provave.
Megjithatë, sipas monitoruesve të proceseve zgjedhore, ky subjekt politik do të certifikohet pas ankesës në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Në këtë institucion konfirmuan ankesën e Listës Serbe, derisa thanë se brenda afatit ligjor do të vendosin për këtë rast.
Kryetari i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Zllatan Ellek, në prezantimin e kandidatëve për deputetë, i është referuar Kosovës si “Kosova dhe Metohija”.
Kjo u bë shkak që dy anëtarë të KQZ, nga partia në Pushtet -Sami Kurteshi dhe Albin Krasniqi, të kundërshtojnë certifikimin e këtij subjekti.
Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli thotë se iniciativa për ta bllokuar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit do të dështojë.
Sipas tij, Zyra për regjistrimin dhe certifikimin e partive politike brenda KQZ-së ka rekomanduar për certifikimin e Listës Serbe, andaj, thotë ai, deklarimet publike të zyrtarëve partiakë nuk përbëjnë bazë për mos certifikim të subjekteve politike “për aq kohë sa të njëjtat plotësojnë kriteret ligjore”.
“Vendimi i djeshëm i KQZ-së për të mos e certifikuar Listën Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje është një vendim i motivuar politikisht dhe pa bazë ligjore. Meqenëse në bazë të rekomandimit që vet Zyra për regjistrimin dhe certifikimin e partive politike ka rekomanduar që Lista Serbe të certifikohet për shkak se i ka plotësuar të gjitha kriteret minimale ligjore siç parashihen me ligj dhe rregulloret e KQZ-së. Rrjedhimisht diskutimet e anëtarëve të KQZ-së për shkak të deklarimeve të zyrtarëve të Listës Serbe dhe në anën tjetër për shkak të verifikimit nga MPB-ja dhe MPJ-ja janë të paqëndrueshme, pasi në radhë të parë deklarimet publike nuk përbëjnë bazë për mos certifikim të subjekteve politike, për sa kohë të njëjtat plotësojnë kriteret ligjore”, thekson Cakolli.
Ai shton se Lista Serbe i ka përmbushur kohë më parë kriteret për certifikim, derisa përmend edhe kalimin e verifikimit të institucioneve si Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Sipas Cakollit, pas anekses së Listës Serbe, PZAP në bazë të praktikës së vendosur nga e kaluara, do të urdhërojë KQZ-në ta konsiderojë të certifikuar këtë subjekt politik për zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Sa i përket verifikimit të institucioneve, përfshirë këtu MBP dhe MPJ nuk përbën kriter ligjor verifikimi i partive politike. Këto institucione merren vetëm me verifikimin e kandidatëve që janë pjesë e subjekteve politike. Partitë politike i nënshtrohen rregullave tepër të thjeshta për certifikim dhe të cilat Lista Serbe i ka përmbushur kohë më parë. Unë mendoj se çfarëdo iniciative e partive politike për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe përveç që është e destinuar që të dështojë duke qenë se PZAP edhe në praktikën që vet e ka krijuar me zgjedhjet e vitit 2019 do të urdhërojë KQZ-në që të konsiderojë të certifikuar Listën Serbe. Kjo në një formë përbënë edhe heqje të së drejtës së KQZ-së për të votuar për këtë çështje. Nëse merret vendimi i njëjtë sikur ka qenë rasti i vitit 2019, nuk nevojitet fare që të vendosë sërish KQZ-ja por Lista Serbe do të konsiderohet e certifikuar automatikisht”, deklaron Cakolli.
Mirëpo, ish kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu thotëse KQZ-ja është organ i pavarur e kolegjial dhe në bazë të vlerësimeve dhe provave ka marrë vendim për mos certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrjen në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Pas vendimit për mos certifikim të Listës Serbe, reaguan edhe vendet e QUINT-it, të cilët kërkuan procesi zgjedhor i 9 shkurtit të zhvillohet me integritet dhe mbi bazën e procedurave të duhura ligjore “e jo të interesave politike”.
Sipas Baraliut, reagimet e vendeve të QUNIT-it për këtë vendim janë panevojshme dhe ndërhyrje direkte në punën e KQZ-së.
Ai thekson se tashmë procesi është në duar të PZAP-së dhe se vendimet e saj janë të obligueshme për KQZ-në.
“Pa marrë parasysh rekomandimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme apo Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komisioni Qendror i Zgjedhjet është organ i pavarur kushtetues. Ai ka të drejtë që të bëjë vlerësimet, t’i analizojë provat dhe dëshmitë për përshtatshmërinë apo jo të certifikimet të një subjekti politik në bazë të qëndrimeve apo votave të veta. Ai ka vendosur dje dhe tani nuk është përmbyllur procedura, jemi tek në fillim të saj. Ka vendosur një organ i shkallës së parë dhe tani pala e pakënaqur ka të drejtë që në procedurën administrative në PZAP, përsëri organ i pavarur, që vendimet e të cilët KQZ-ja duhet t’i zbatojë nëse vendosë ndryshe. Ky organ vendosë në shkallën e dytë, pastaj ka edhe institucione të tjera ankimore si në Gjykatën Supreme që mund të vendoset eventualisht, ndryshe ose njëjtë sikur në shkallën e parë. Prandaj kjo bujë dhe trumpeta janë të panevojshme. Kjo është pengesë e institucioneve tona të pavarura”, thekson Baraliu.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kjo parti kishte deklaruar se do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt – të parat zgjedhje të rregullta në Kosovë që prej shpalljes së pavarësisë më 2008.