Çitaku kritikon Rozetën: Po shqetësohet për dokumentet “sekrete” që vetë ia dha Ridvanit – jo për ligjshmërinë, por nga frika e përgjegjësisë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklarimeve të zyrtares së arrestuar të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Rozeta Hajdari, lidhur me qasjen e Prokurorisë në dokumente të klasifikuara si “sekrete”. Çitaku tha se është ironike dhe njëkohësisht alarmante që Hajdari po e problematizon qasjen e Prokurorisë në këto dokumente,…

Lajme

31/07/2025 16:55

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklarimeve të zyrtares së arrestuar të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Rozeta Hajdari, lidhur me qasjen e Prokurorisë në dokumente të klasifikuara si “sekrete”.

Çitaku tha se është ironike dhe njëkohësisht alarmante që Hajdari po e problematizon qasjen e Prokurorisë në këto dokumente, ndërkohë që sipas saj, vetë i kishte ndarë ato me një qytetar të zakonshëm, pa asnjë autorizim apo verifikim sigurie, transmeton lajmi.net

“Rozeta po shqetësohet pse Prokuroria paska pasur qasje në dokumente ‘sekrete’. Të jemi të qartë: bëhet fjalë për të njëjtat ‘sekrete’ që ajo i ka ndarë me Ridvanin, një qytetar që nuk ka kaluar asnjë verifikim apo filtër sigurie”, shkroi Çitaku në një postim në rrjete sociale.

Ajo shtoi se ky nuk është shqetësim për ligjshmërinë, por “panik nga përgjegjësia”.

“Injorancë pa kufij, e përzier me arrogancë të rrezikshme”, përfundoi Çitaku.

Prokuroria ka nisur hetimet ndaj Rozeta Hajdarit pas publikimit të komunikimeve dhe dokumenteve të ndara në mënyrë të dyshimtë me persona jashtë institucioneve, përfshirë Ridvan Tahirin, i njohur në opinion për përfshirje në debatet publike për politikën e jashtme./lajmi.net/