Çitaku i reagon ministres Pacolli që i ofendoi qytetarët e Skenderajt: Drenica ka dhënë më shumë për këtë vend sesa shumë prej nesh do të mund të japim ndonjëherë

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku i ka reaguar ministres Fitore Pacolli që dje ofendoi qytetarët e Skenderajt me një deklaratë skandaloze. “Nëse kanë ardhë me atë mendësinë e Skenderajt, çka s’pritet prej tyne. Ne si VV, jemi qetë, vazhdojmë me fushatën tonë..”, tha ajo, kur u pyet nga gazetari, Vullnet Krasniqi, nëse mund…

Lajme

29/05/2026 10:38

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku i ka reaguar ministres Fitore Pacolli që dje ofendoi qytetarët e Skenderajt me një deklaratë skandaloze.

“Nëse kanë ardhë me atë mendësinë e Skenderajt, çka s’pritet prej tyne. Ne si VV, jemi qetë, vazhdojmë me fushatën tonë..”, tha ajo, kur u pyet nga gazetari, Vullnet Krasniqi, nëse mund të ketë incidente mes partisë së saj dhe PDK-së në Ferizaj, gjatë tubimeve hapëse dje, transmeton lajmi.net.

Ndaj kësaj deklarate, ka reaguar Çitaku e cila tha se Pacolli duhet ta lë rehat Drenicën.

“Drenica nuk ka nevojë për leksione nga ju. Drenica ka dhënë më shumë për këtë vend sesa shumë prej nesh do të mund të japim ndonjëherë.”, tha ndër të tjera Çitaku.

Postimi i plotë:

“Nëse kanë ardhë këtu me mentalitetin e Skenderajt, çka s’pritet prej tyne.”
Kështu paska thënë një ministre e Republikës së Kosovës. Një njeri i veshur me pushtet, që paguhet nga taksat e qytetarëve dhe që do të duhej t’u shërbente të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Zonjë, lëre Drenicën rehat.
Për gjashtë vjet me radhë e keni lënë pa mbështetje, pa investime dhe pa projekte zhvillimore. Tash, pasi e keni penalizuar financiarisht, po mundoheni ta anatemoni edhe politikisht. Nuk do t’ia dilni.
Drenica nuk ka nevojë për leksione nga ju. Drenica ka dhënë më shumë për këtë vend sesa shumë prej nesh do të mund të japim ndonjëherë.
Por e kuptoj pse po e bëni këtë. Sepse është më e lehtë të sulmosh një rajon të tërë sesa të përgjigjesh për dështimet e tua.
Përgjigjuni qytetarëve:
Sa qytetarë janë larguar nga Kosova gjatë qeverisjes suaj gjashtëvjeçare?
Cilin projekt kapital mund ta përmendni që e keni nisur dhe përfunduar?
Sa janë rritur çmimet gjatë këtyre viteve?
Çfarë masash konkrete keni marrë për ta frenuar inflacionin?
Sa energji elektrike keni importuar dhe sa u ka kushtuar qytetarëve?
Çfarë keni bërë që të rinjtë ta shohin të ardhmen e tyre në Kosovë dhe jo në migrim?
Këto janë pyetjet që presin përgjigje.
Jo sulmet ndaj Drenicës. Jo paragjykimet ndaj Skenderajt. Jo përpjekjet e neveritshme për t’i përçarë qytetarët e Kosovës./lajmi.net/