“Cirku i demokracisë”, “ky nuk është serial, është shteti ynë” – nis aksioni simbolik para Kuvendit

Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish për herën e 22-të, në përpjekje për të konstituuar Kuvendin e Kosovës. E kur ky proces po bllokohet në vazhdimësi, kanë reaguar organizatat e shoqërisë civile, të cilat përmes një performance simbolike kanë treguar pakënaqësitë e tyre pak para nisjes së seances. Ata po kundërshtojnë…

Lajme

27/05/2025 10:13

Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish për herën e 22-të, në përpjekje për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.

E kur ky proces po bllokohet në vazhdimësi, kanë reaguar organizatat e shoqërisë civile, të cilat përmes një performance simbolike kanë treguar pakënaqësitë e tyre pak para nisjes së seances.

Ata po kundërshtojnë veprimet e deputetëve, të cilët për 21 ditë po e bllokojnë këtë proces.

“Boll”, “Cirku i demokracisë“, “Ky nuk është serial, është shteti ynë“, “Për çka iu kemi zgjedh“, janë disa nga porositë e vendosura para Kuvendit të Kosovës, nga organizatat e shoqërisë civile.

Procesi i konstituimit ka dështuar në 21 raste të mëparshme, për shkak të mungesës së konsensusit politik dhe numrave të nevojshëm për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk kanë propozuar anëtarë për Komisionin që do të mundësonte votimin e fshehtë, duke e bërë të pamundur formimin e tij.

Çështja e votimit të fshehtë, që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, po këmbëngul në kandidaten e saj, Albulena Haxhiu, për postin e kryeparlamentares, e cila nuk po gjen mbështetje nga partitë tjera. Këto parti i kanë bërë thirrje Vetëvendosjes që të ndërrojë kandidaten dhe në vend të Haxhiut të kandidohet “një figurë konsensuale”.

Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, e cila ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.

Më 15 maj, pas një takimi të thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me përfaqësues të partive politike, Osmani tha se nuk pati pajtim rreth konstituimit të Kuvendit, por shtoi se kishte parë një “disponim minimal” tek liderët partiakë për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re./Lajmi.net/