Cineplexx hapë gjashtë salla të kinemasë në Prishtinë

Ky projekt do të operojë me 6 salla dhe me rreth 1000 ulëse dhe do të sigurojë filmat e fundit të kinemave botërore, që për ne do të jetë ndër kinematë më të mëdha ndonjëherë.

ShowBiz

29/04/2016 15:31

Do të përdoret teknologjia e fundit digjitale, të gjitha sallat do të jenë të pajisura me teknologjinë 3D dhe po ashtu mendohet të ketë edhe disa ulëse Vip. Këto gjashtë salla do të hapen te objekti i Albi Mall në Veternik . Hapja e kinemasë do të bëhet në muajin shtator.

Cineplexx International GmbH ka vendosur të jetë prezent edhe në Kosovë dhe punën e tyre të njëjtë si në vendet e tjera ta sjellin edhe në Prishtinë duke e parë si një vend të duhur dhe me zhvillim. Para tri viteve ka filluar zgjerimi i rrjetit në vendet shqipfolëse, në Shkup dhe Tiranë si dy qytete të rëndësishme dhe po vazhdon me Prishtinën si qytetin e tretë të rëndësishëm për shqiptarët.

Në konferencën e mbajtur në mëngjesin e së premtes u fol më detajisht për këtë bashkëpunim në mes Albi Group dhe Cineplexx. Drejtori ekzekutiv i Albi Group, Sutki Humolli qysh në hapje të konferencës dha lajmin që kjo marrëveshje është lidh qysh në muajin nëntor, por sot është nënshkruar dhe konkretizuar gjithçka. Ky projekt do të operojë me 6 salla dhe me rreth 1000 ulëse dhe do të sigurojë filmat e fundit të kinemave botërore. Do të përdoret teknologjia e fundit digjitale, të gjitha sallat do të jenë të pajisura me teknologjinë 3D dhe po ashtu mendohet të ketë edhe disa ulëse Vip. Standardet do të jenë të njëjta si në Vjenë dhe gjithkund tjetër ku vepron Cineplexx.

“Kemi kënaqësinë të ndajmë së bashku një lajm shumë të mirë, bashkëpunimin e Albi Group me Cineplexx International GmbH. Ky ka qenë vizioni jonë i kamotshëm që ta sjellim një kompani të madhe në mesin tonë, siç është Cineplexx. Jemi të lumtur që sot e nënshkruam këtë marrëveshje” tha ndër të tjera Sutki Humolli.

Sipas Christof Papousek, vlera totale e investimeve tejkalon shumën 3 milion e gjysmë euro . Cineplexx International GmbH është pjesë e Grupit Constantin Film me bazë në Vjenë, në vitin 1951, i cili vepron me 19 kinema multiplex dhe 8 kinema Arthouse brenda Austrisë. Aktualisht, 102 ekrane të filmave operojnë jashtë Austrisë. Sot, Cineplexx ka një prani të fortë me 40 multiplexx dhe 6 lokacione tradicionale në Austri, Shqipëri, Greqi, Itali, Kroaci, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe Slloveni, me gjithsej 291 salla./kultplus