Cilat janë grupmoshat që duhet të marrin dozën e tretë përforcuese sipas z. Fauci?

Në Shëtitoren Kombëtare në Uashington janë vendosur mbi 660,000 flamuj të bardhë në kujtim të personave që kanë vdekur që nga fillimi i pandemisë në vitin 2020.

Lajme

21/09/2021 16:45

Këshilltari kryesor mjekësor i Shtëpisë së Bardhë thotë se shkenca mbështet një vendim të marrë së fundmi nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve për të pritur më gjatë për një plan të përgjithshëm të vaksinimit me doza përforcuese ndaj COVID-19, shkruan VOA.

Ndërkohë, një ekspozitë në Uashington kujton numrin e madh të vdekjeve të shkaktuara nga pandemia, transmeton lajmi.net.

Në Shëtitoren Kombëtare në Uashington janë vendosur mbi 660,000 flamuj të bardhë në kujtim të personave që kanë vdekur që nga fillimi i pandemisë në vitin 2020.

Kjo shfaqje arti pasoi vendimin e një paneli këshillues të Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve në fund të javës së kaluar për të hedhur poshtë një plan për vaksinimin me doza përforcuese të shumicës së amerikanëve për shkak të mungesës së të dhënave të mjaftueshme për sigurinë e një doze të tretë nga kompania Pfizer.

Këshilltari kryesor i Presidentit Biden për çështjet e shëndetësisë, Dr. Anthony Fauci, tha të dielën për emisionin “This Week” të kanalit ABC se ndërsa doza përforcuese e vaksinës Pfizer nuk ka marrë miratim të gjerë, shumë amerikanë janë të kualifikuar ta marrin atë.

Doza përforcuese u miratua për njerëzit e moshës 65 vjeç e sipër, dhe për një numër të konsiderueshëm të njerëzve të moshës 18-64 vjeç, të cilët janë në kategorinë e rrezikuar për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore. Dozën përforcuese mund ta marrin edhe personat e moshës 18-64 vjeç që punojnë në institucione, ose mjedise me rrezik të lartë ekspozimi dhe infeksioni”, tha Dr. Fauci.

Presidenti Joe Biden njoftoi së fundmi një plan për ta bërë të detyrueshëm vaksinimin për miliona amerikanë, që punojnë për qeverinë federale dhe për kompani me të paktën 100 punonjës. Ai ka akuzuar guvernatorët republikanë, se po përdorin pandeminë për qëllime politike.

Në Misisipi, fëmijëve u kërkohet të vaksinohen kundër fruthit, rubeolës, lisë së dhenve, hepatitit B, poliomielitit, tetanozit dhe shumë sëmundjeve të tjera. Këto janë detyrime të vendosura nga shteti.Por në mes të një pandemie që tashmë ka shkaktuar vdekjen e mbi 660,000 njerëzve, unë propozova që vaksina kundër Covid-19 të bëhet e detyrueshme, dhe guvernatori i atij shteti e quan këtë ‘Lëvizje tiranike’”, tha Presidenti Biden.

Guvernatori republikan i Floridës, Ron DeSantis, një kritik i presidentit, thotë se vendimi i Shtëpisë së Bardhë për ta bërë të detyrueshëm vaksinimin dëmton vendet e punës dhe shkel të drejtat individuale.

Në një situatë kur kemi një president si zoti Biden që lëshon dekrete jokushtetuese kundër popullit amerikan, ne kemi përgjegjësi për të mbrojtur Kushtetutën dhe kjo është ajo që ne po bëjmë në shtetin e Floridës”,- tha guvernatori Desantis.

Organizata “Statista.com” njofton se Florida ka numrin e tretë më të lartë të rasteve me Covid-19 në vend. Ndërkohë, gazeta New York Times njofton se administrata e Presidentit Biden është duke negociuar me kompaninë Pfizer për të blerë 500 milionë doza të tjera të vaksinës për t’ua dhuruar vendeve të tjera. /Lajmi.net/