Chelsea ‘shpartallon’ Burnley, ‘blindon’ pozitën e tretë
Chelsea ka marrë një fitore të madhe në udhëtim te Burnley në kuadër të xhiros së 28-të në Premierligë.
Sport
“Blutë” e Londrës triumfuan me rezultat të thellë 0:4, shkruan lajmi.net.
Chelsea dominoi qysh nga minuta e parë, por që nuk i finalizuan aksionet e shumta, kësisoj pjesa e parë përfundoi pa gola.
Në pjesën e dytë, klubi londinez ishte shumë i motivuar, ku shënoi tre herë brenda shtatë minutave.
Reece James pas një asistimi të Chalobah ndryshoi shifrat duke e vendosur Chelsean përpara (47′).
Vetëm pesë minuta më vonë, Kai Havertz pas një asistimi të Pulisic dyfishoi epërsinë.
Gjermani doli sërish në skenë duke shënuar edhe golin e tretë, por këtë herë u asistua nga James (55′).
Fitoren e Chelseas e vulosi amerikani Pulisic me një gol të bukur (69′).
Kështu, Chelsea mban pozitën e tretë me 53 pikë, derisa Burnley zë pozitën e 18-të me 21 sosh./Lajmi.net/