Çfarë po e ndalë Izraelin ta njohë Kosovën?

Ambasadori Josef Levi e quan të komplikuar çështjen e njohjes së Kosovës nga Tel Avivi. Sipas tij, kjo lidhet më shumë me konfliktin izraelito-palestinez sesa me raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. 

Lajme

09/08/2014 12:20

Ambasadori i Izraelit në Serbi, Jozef Levi thotë se populli i tij nuk ka asgjë kundër popullit të Kosovës. Ai është i vetëdijshëm për ndihmën që shqiptarët u kanë dhënë izraelitëve gjatë luftës së dytë botërore.

Por, sipas Levi-t, mungesa e njohjes së Izraelit lidhet më shumë me konfliktin e tyre në Lindjen e Mesme.

“Izraeli nuk ka asgjë kundër popullit të Kosovës. Unë shpesh udhëtoj atje, flas hapur dhe përzemërsisht qytetarët e atij vendi. Shumë shqiptarë kanë shpëtuar hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur të tjerët, fatëkeqësisht nuk e kanë bërë. Vendimi që të mos e njohim Kosovën nuk është i lidhur ngushtë me dialogun ndërmjet Izraelit dhe Palestinës. Thjesht ai është më pak i lidhur me konfliktin tuaj, e më shumë me konfliktin tonë privat, me sfidën e Lindjes së Afërt” citon gazeta “Kurir” të Beogradit, transmeton Koha.net.

Levi konsideron se Marrëveshja e Brukselit është “kryevepër” dhe thekson se ajo është model të cilin Izraeli do ta dëshironte ta zbatonte në Lindjen e Afërt.

“Dhe nuk është vetëm marrëveshja, por edhe përpjekja që të dy palët të sjellin frymë të re në zgjidhjen e konflikti shumëvjeçar. E di ç’dhembje kanë serbët për të gjitha ato nga e kaluara pasi ata Kosovën e kanë tokë të shenjtë. Njësoj është edhe për shqiptarët. Dhe mbi të gjitha, dy kombet vendosen t’ia zgjasin duart njëri -tjetrit, të ulen e të bisedojnë. Për këtë duhet guxim”, ka thënë Levi.