Çfarë parasheh buxheti rekord?

Kosova këtë vit do ta ketë buxhetin më të lartë në historinë e vendit, rreth 4 miliard euro. Investime në arsim, shëndetësi, infrastrukturë e fusha tjera, më shumë buxhet për paga e shpenzime, shtesa e subvencione, të gjitha këto janë paraparë në projekt-buxhetin e këtij viti. Shpenzimet rrjedhëse pritet të shkojnë në rreth 2.9 miliardë…

Lajme

16/02/2026 20:32

Kosova këtë vit do ta ketë buxhetin më të lartë në historinë e vendit, rreth 4 miliard euro.

Investime në arsim, shëndetësi, infrastrukturë e fusha tjera, më shumë buxhet për paga e shpenzime, shtesa e subvencione, të gjitha këto janë paraparë në projekt-buxhetin e këtij viti.

Shpenzimet rrjedhëse pritet të shkojnë në rreth 2.9 miliardë euro, ndërsa ato kapitale në 998.4 milionë.

Për herë të parë punonjësit publikë do të marrin pagën e 13-të, ndërsa pagat do të rriten në bazë përvojës nga 0.25% në 0.5% për vit pune.

Për nivelin qendror pa përfshirë pagesat për interesin e borxhit publik janë paraparë rreth 3 miliardë, për komunat 867 milionë.

Një analizë e bërë nga Instituti GAP tregon se cilat ministri do ta kenë buxhetin më të lartë.

Ministria e Financave prinë për nga buxheti, mbi 1.1 miliardë euro, ndërkaq ajo e Zhvillimit Rajonal do ta ketë buxhetin më të ulët, rreth 5 milionë.

Pas asaj të Financave, më së shumti buxhet është dedikuar për Ministrinë e Mjedisit, rreth 310 milionë, atë të Punëve të Brendshme rreth 248 milionë dhe Ministrinë e Mbrojtjes mbi 216 milionë.

Për Ministrinë e Arsimit janë paraparë mbi 110 milionë, atë të Shëndetësisë mbi 102 milionë ndërsa të Ekonomisë rreth 79 milionë.

Përkundër që katër ministri më shumë, projekt-buxheti i këtij viti nuk e reflekton ndryshim.

Për investime kapitale janë paraparë 986.7 milionë euro.

81% e këtyre mjeteve sipas GAP-it janë dedikuar për vazhdimin e projekteve ekzistuese, ndërsa rreth 185 milionë euro për investime të reja kapitale.

E disa nga projektet më të mëdha që do t?i kushtojnë më shumë buxhetit të shtetit do të jenë autostrada në drejtim të Pejës dhe ajo e Gjilanit, që kapin vlerën e mbi 18 milionë eurove secila.

Ndërsa, për 8 milionë euro do të rritet buxheti për Agjencinë e Punësimit, rreth 800 mijë për Inspektoratin e Punës.

Ngritje ka pasur edhe buxheti për komunat ku sivjet do të ndahen më shumë mjete për paga, mallra e shërbime dhe subvencione.

Kur flasim për komunat, Instituti GAP ka dhënë sqarime edhe sa i përket mospërfshirjes së buxhetit të Prishtinës në project-buxhetin e këtij viti.

Nuk është vetëm kryeqyteti por edhe 1- komuna tjera të cilat sipas këtij instituti nuk e kanë miratuar buxhetin vjetor me kohë, deri më 30 shtator 2025.

Për rrjedhojë, këto 11 komuna rrezikojnë që këtë vit ta kenë buxhetin e njëjtë sikur vitin e kaluar.

Kur flasim për të hyra, komunat me investimet më të larta nga niveli qendror këtë vit janë: Gjilani me 30.7 milionë euro, Ferizaj me 21.4 milionë euro dhe Mitrovica me 19 milionë euro. Në anën tjetër, sipas GAP-it, komunat me investimet më të ulëta janë Graçanica, Obiliqi dhe Zveçani./rtk