Çfarë fshihet pas 73.2 milionë eurove? Kontrata KEK–ESM i hap kompanisë maqedonase rrugën për nxjerrjen e qymyrit në Obiliq
U publikua kontrata e plotë në mes Korporatës Energjetike të Kosovës dhe kompanisë publike energjetike të Maqedonisë së Veriut, AD ESM, për shitjen e qymyrit të Kosovës. Dokumenti prej 23 faqesh tregon se marrëveshja shkon dukshëm përtej një shitjeje të zakonshme të qymyrit, pasi pala maqedonase nuk do të marrë vetëm qymyr të gatshëm, por…
Lajme
U publikua kontrata e plotë në mes Korporatës Energjetike të Kosovës dhe kompanisë publike energjetike të Maqedonisë së Veriut, AD ESM, për shitjen e qymyrit të Kosovës. Dokumenti prej 23 faqesh tregon se marrëveshja shkon dukshëm përtej një shitjeje të zakonshme të qymyrit, pasi pala maqedonase nuk do të marrë vetëm qymyr të gatshëm, por do të ketë të drejtë të organizojë me pajisjet dhe kontraktorët e vet eksploatimin, përpunimin, ngarkimin dhe largimin e tij nga zonat minerare të përcaktuara nga KEK-u.
Kontrata, e titulluar “Sales Agreement” dhe me objekt “Coal Sales”, është nënshkruar më 14 gusht 2026 ndërmjet KEK-ut si shitës dhe JSC Power Plants of North Macedonia – AD ESM si blerës. (KONTRATA)

Në dokument përcaktohet një sasi e përafërt prej rreth tre milionë tonësh qymyr, me devijim të lejuar prej plus ose minus 30 për qind, një çmim prej 24.40 euro për ton, pa TVSH, dhe një periudhë kontraktuale prej 36 muajsh.
Kushtet e Veçanta të kontratës përcaktojnë qasjen e ESM-së në zonat minerare, mënyrën e marrjes së qymyrit, pajisjet që duhet t’i sigurojë blerësi, angazhimin e kompanive të treta, përgjegjësitë për rrugët dhe materialin e mbetur, laboratorin, peshimin, pagesat dhe kontrollin që KEK-u ruan mbi procesin.
Kontrata është për shitje, por blerësi hyn edhe në procesin e eksploatimit
Një nga çështjet më të rëndësishme që del nga leximi i dokumentit është natyra reale e marrëveshjes.
Në kuptimin formal dhe juridik, dokumenti është kontratë shitjeje. KEK-u është “Seller”, ndërsa ESM është “Buyer”.
Megjithatë, mënyra e ekzekutimit të saj nuk është ajo e një shitjeje të zakonshme, ku shitësi e nxjerr produktin, e përpunon, e vendos në depo dhe blerësi vjen vetëm për ta marrë.
Kontrata përcakton që ESM duhet të ketë në dispozicion pajisjet e veta, të përshtatshme dhe të autorizuara nga organet përkatëse, për kryerjen e eksploatimit, përpunimit, grumbullimit, ngarkimit dhe transportimit të qymyrit.
Këto punë mund të kryhen drejtpërdrejt nga ESM ose përmes kompanive të autorizuara dhe të përzgjedhura prej saj.
Pra, kompania publike maqedonase merr jo vetëm të drejtën për të blerë qymyr, por edhe përgjegjësinë për të organizuar procesin fizik të marrjes së tij nga zona minerare.
Qymyri nuk i dorëzohet domosdoshmërisht ESM-së si produkt përfundimtar i gatshëm për eksport. Pala maqedonase duhet ta organizojë një pjesë të procesit që nis në vetë zonën e eksploatimit.
ESM mund të përdorë kompani private në minierat e KEK-ut
Kontrata përcakton shprehimisht se, përveç blerësit, edhe kompanitë e përzgjedhura dhe të autorizuara nga ESM mund të kryejnë punët që lidhen me eksploatimin, përpunimin, ngarkimin dhe transportimin.
KEK-u nuk krijon marrëdhënie kontraktuale me kontraktorët e ESM-së.
Të gjitha detyrimet financiare, kontraktuale dhe juridike ndaj kompanive që ESM angazhon për realizimin e punëve mbeten përgjegjësi e blerësit.
Blerësi i qymyrit është drejtpërdrejt kompania publike maqedonase.
Por kjo nuk do të thotë se kompani private nuk do të përfshihen në realizimin fizik të marrëveshjes.
Përkundrazi, vetë kontrata e lejon një gjë të tillë.
ESM tashmë ka paralajmëruar publikisht se do të zhvillojë procedurë për angazhimin e një operatori ekonomik për punët që lidhen me qymyrin e Kosovës.
Dallimi është se operatori privat nuk do të jetë ndërmjetës në blerjen e qymyrit nga KEK-u, por kontraktor i ESM-së.
Tre milionë tonë nuk janë një sasi e garantuar fikse
Një tjetër element është sasia e kontratës.
Në dokument flitet për rreth tre milionë tonë qymyr për periudhën trevjeçare.
Por kontrata e quan këtë një sasi të përafërt dhe lejon devijim prej plus ose minus 30 për qind.
Kjo do të thotë se shifra prej tre milionë tonësh nuk duhet trajtuar si sasi e pandryshueshme që patjetër do të nxirret dhe shitet.
Sipas ligjit të prokurimit tw Kosovws, apo në terma matematikorë, një devijim prej 30 për qind rreth tre milionë tonëve krijon një interval potencial prej rreth 2.1 milionë deri në 3.9 milionë tonë.
Megjithatë, pagesa dhe realizimi financiar varen nga sasitë faktike që merren sipas mekanizmave të kontratës.
Edhe vlera prej 73.2 milionë eurosh në dokument paraqitet si vlerë totale e përafërt e llogaritur mbi bazën e tre milionë tonëve me çmim prej 24.40 euro për ton.
Çmimi: 24.40 euro për ton
Çmimi i përcaktuar në kontratë është 24.40 euro për ton, pa TVSH.
Kontrata përcakton një vlerë të përafërt prej 73.2 milionë eurosh për sasinë e paraparë.
Po ashtu, në Kushtet e Veçanta përcaktohet se çmimi për ton gjatë kohëzgjatjes së marrëveshjes nuk duhet ta tejkalojë nivelin prej 24.40 eurosh.
Ky element është i rëndësishëm edhe për shkak të mënyrës në të cilën procesi është paraqitur publikisht.
KEK-u kishte thënë se përmes negociatave dhe eliminimit të ndërmjetësve është arritur maksimalizimi i çmimit dhe përfitimeve.
Edhe marrëveshja përfundimtare është lidhur në këtë nivel.
Prandaj mbetet relevante pyetja se çfarë konkretisht është përmirësuar në aspektin e çmimit gjatë negociatave, nëse niveli përfundimtar është identik me vendosjen që KEK-u e kishte përcaktuar si prag që në fillim të procesit.
Për të përcaktuar saktësisht se çfarë është negociuar duhet parë procesi i plotë, ofertat, komunikimet dhe ndryshimet ndërmjet dokumenteve të procedurës.
KEK-u vë në dispozicion një fushë me rreth 2.4 milionë tonë
Një prej detajeve më interesante ndodhet në obligimet e shitësit.
Dokumenti përmend një fushë minerare me rreth 2.4 milionë tonë qymyr.
Nëse gjatë realizimit të marrëveshjes bëhet e nevojshme përdorimi i një fushe tjetër, KEK-u duhet të identifikojë një zonë tjetër që siguron sasinë e kërkuar dhe cilësi të ngjashme.
Kontrata përcakton se kjo zonë tjetër duhet të jetë në një distancë jo më të madhe se rreth dy kilometra nga fusha përkatëse.
Po në këtë pjesë të dokumentit përmendet edhe sigurimi i kushteve për shfrytëzimin e një sasie prej 600 mijë tonësh, e ndarë në dy pjesë prej nga 300 mijë tonësh, sipas studimeve përkatëse të projektimit.
Këto dispozita tregojnë se marrëveshja nuk është e lidhur vetëm me një depo të vetme qymyri të gatshëm.
Ajo parashikon përdorimin e zonave të përcaktuara minerare dhe mundësinë e identifikimit të një fushe tjetër nëse realizimi i kontratës e kërkon këtë.
“Koncesion” apo kontratë shitjeje?
Ky dimension bëhet veçanërisht interesant kur kontrata krahasohet me mënyrën se si ESM e ka përshkruar publikisht marrëveshjen.
Kompania maqedonase ka përdorur termin “koncesion” në komunikimin e saj publik për minierën në Obiliq. Por ky nuk është emërtimi që përdoret në dokumentin e nënshkruar.
Kontrata quhet “Sales Agreement”, ndërsa objekti është “Coal Sales”.
Pra, nga vetë dokumenti që ka parë Kujdestari.info nuk mund të thuhet se KEK-u dhe ESM kanë nënshkruar një kontratë që juridikisht titullohet koncesion.
Por, përmbajtja e marrëveshjes i jep blerësit kompetenca operative shumë më të gjera sesa marrja e një produkti të gatshëm, PASI ESM mund të organizojë eksploatimin, përpunimin, ngarkimin dhe largimin e qymyrit me pajisjet dhe kompanitë e veta.
KEK-u ruan kontrollin: ESM nuk mund të marrë qymyr kur të dëshirojë
Edhe pse ESM merr rol të madh operacional, kjo nuk nënkupton se kompania maqedonase fiton qasje të pakontrolluar në minierë.
Kontrata krijon një procedurë të posaçme autorizimi për tërheqjen e qymyrit.
Sa herë që ESM planifikon të marrë qymyr, duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim të ashtuquajturin “Authorization Letter – Dynamic Plan”.
Në të duhet të përfshihen së paku sasia e përafërt që synohet të merret, periudha e ngarkimit dhe numri i automjeteve, së bashku me të dhënat e tyre të regjistrimit.
Ky dokument duhet t’i dorëzohet KEK-ut 48 orë para kohës së planifikuar për ngarkim.
KEK-u ruan të drejtën ta mos miratojë planin nëse zbatimi i tij do të ndërhynte në operacionet e Korporatës apo në rrethana të tjera të jashtëzakonshme të parashikuara me marrëveshje.
Pra, ESM organizon punët, por KEK-u ruan mekanizmin e autorizimit dhe kontrollit mbi marrjen konkrete të qymyrit.
Qasje 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë
Kontrata parasheh që blerësi të ketë qasje në pikën e ngarkimit 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë.
Por kjo qasje është e kushtëzuar.
ESM nuk duhet, në asnjë moment, të ndërhyjë në operacionet e KEK-ut.
Kontrata e bën gjithashtu blerësin të vetëdijshëm se zona e ngarkimit dhe hapësirat përreth mund të jenë të rrezikshme, me makineri, pajisje, ndërtesa dhe struktura të tjera industriale.
ESM dhe personeli i saj duhet t’u përmbahen rregullave të sigurisë dhe procedurave përkatëse.
Përgjegjësia për pajisjet dhe punëtorët i mbetet ESM-së
Në kontratë thuhet se ESM duhet t’i sigurojë vetë pajisjet e nevojshme për punët që merr përsipër.
Po ashtu, ESM mban përgjegjësi për kompanitë dhe personelin që angazhon.
KEK-u nuk bart detyrime financiare ose juridike ndaj kontraktorëve që ESM sjell në operacion.
Në rast kontestesh ndërmjet ESM-së dhe kontraktorëve të saj, ato nuk shndërrohen automatikisht në detyrime të KEK-ut.
ESM merr përsipër edhe materialin e mbetur dhe ujërat
Roli i blerësit shkon përtej vetë qymyrit.
Kontrata përcakton se gjatë procesit të eksploatimit blerësi është përgjegjës për largimin e materialit të mbetur, si materialit të djegshëm, ashtu edhe atij jo të djegshëm nga fronti i punës.
Në dokument përmendet gjithashtu përgjegjësia për menaxhimin e ujërave nëntokësore dhe për zhvendosjet e nevojshme gjatë zhvillimit të operacionit.
Çmimi prej 24.40 euro për ton është pagesa që i shkon KEK-ut për qymyrin.
Por për ESM-në, çmimi real përfundimtar i një toni qymyr do të jetë më i lartë, sepse mbi këtë shumë duhet t’i shtohen kostot e nxjerrjes, pajisjeve, operatorëve, përpunimit, ngarkimit, transportimit dhe detyrimeve të tjera operative.
ESM duhet t’i mirëmbajë rrugët që përdor
Kontrata ia bart blerësit edhe një pjesë të përgjegjësisë për infrastrukturën që përdoret gjatë punës.
Nëse procesi i ngarkimit dhe transportimit shkakton ndotje në rrugët brenda ose jashtë hapësirave të KEK-ut, blerësi duhet të sigurojë pastrimin.
Dokumenti parashikon gjithashtu mirëmbajtjen e rrugëve të transportit, përfshirë nivelimin dhe masat për menaxhimin e pluhurit.
Laborator brenda zonës minerare
Kontrolli i cilësisë është një tjetër pjesë e detajuar e kontratës.
KEK-u duhet t’i mundësojë blerësit një zonë pranë vendit të eksploatimit ku mund të vendoset laborator stacionar ose mobil.
Laboratori përdoret për analizimin e cilësisë së qymyrit.
Kontrata përcakton edhe parametra teknikë të qymyrit, përfshirë vlerën energjetike dhe kufijtë për përmbajtjen e squfurit dhe hirit.
Kjo lidhet edhe me deklarimet e ESM-së se analizat e kryera nga kompania kanë treguar karakteristika të favorshme të qymyrit të Kosovës për termocentralet maqedonase.
Por për qëllimet e kontratës, me rëndësi është se cilësia nuk mbetet vetëm një vlerësim paraprak, ajo do të kontrollohet gjatë ekzekutimit të marrëveshjes.
Peshimi nuk bëhet vetëm nga ESM
As sasia e qymyrit nuk përcaktohet në mënyrë të njëanshme nga blerësi.
Kontrata kërkon që qymyri të peshohet në peshore të kalibruara.
Peshimi bëhet në prani të përfaqësuesit të KEK-ut ose një personi të autorizuar prej tij.
Dokumentohen sasitë e ngarkuara, vendi nga është marrë qymyri, koha dhe data e peshimit dhe përfaqësuesit e palëve që kanë marrë pjesë në proces.
Nuk ka paradhënie
Kontrata përcakton se paradhënia nuk aplikohet.
Në vend të saj, KEK-u faturon qymyrin sipas sasive të realizuara.
Shitësi duhet t’i lëshojë blerësit faturë për sasinë e qymyrit të shitur gjatë periudhës përkatëse dhe ESM duhet ta kryejë pagesën brenda afatit të përcaktuar kontraktual.
Dokumenti përcakton afat deri në 30 ditë nga pranimi i faturës.
Kontrata vendos edhe një kufi për ekspozimin financiar të KEK-ut.
Sasia e përgjithshme e qymyrit të dorëzuar dhe të papaguar nuk duhet të tejkalojë 60 mijë tonë.
Nëse arrihet ky nivel, KEK-u mund të pezullojë detyrimet e veta derisa ekspozimi të ulet nën kufirin e përcaktuar.
Çfarë ndodh nëse ESM nuk e merr qymyrin?
Kontrata nuk përcakton vetëm të drejtat e ESM-së.
Ajo përmban edhe mekanizma për rastin kur blerësi nuk e fillon apo nuk e realizon marrjen e qymyrit.
Në një prej dispozitave përcaktohet se nëse blerësi nuk lëshon dokumentin përkatës të autorizimit brenda afatit të paraparë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes dhe kjo nuk është pasojë e ndonjë shkeljeje materiale të shitësit, KEK-ut i lindin të drejta kontraktuale, përfshirë mundësinë e reagimit ndaj mosrealizimit dhe, në rrethana të përcaktuara, ndërprerjen e marrëveshjes.
Kontrata përmban gjithashtu dispozita për situatën kur në fund të periudhës së saj nuk është marrë sasia e paraparë brenda devijimit të lejuar.
KEK-u ruan të drejtën për nevojat e veta energjetike
Një dispozitë tjetër e rëndësishme lidhet me funksionimin e sistemit energjetik të Kosovës.
Kontrata parashikon situata në të cilat procesi i prodhimit ose furnizimit me qymyr mund të ndikojë në funksionimin normal të termocentraleve të KEK-ut.
Në raste të tilla, KEK-u ruan mekanizma për të përdorur qymyrin për nevojat e veta, me detyrimet përkatëse që kontrata parashikon ndaj blerësit.
ESM bart rrezikun e operacionit dhe transportit
Kontrata ia ngarkon blerësit një pjesë të konsiderueshme të rrezikut të operacionit.
ESM është përgjegjëse për aktivitetet e grumbullimit, ngarkimit, trajtimit dhe transportimit të qymyrit sipas kushteve të marrëveshjes.
Në Kushtet e Përgjithshme rregullohen edhe sigurimi, kalimi i pronësisë, dokumentet e transportit dhe përgjegjësia për mallin gjatë procesit.
Kontrata zgjat 36 muaj
Afati i marrëveshjes është 36 muaj nga hyrja e saj në fuqi, përveç rasteve kur ajo përfundon më herët sipas dispozitave për ndërprerjen.
Gjatë kësaj periudhe duhet të organizohen eksploatimi, marrja dhe transportimi i sasive të qymyrit.
Kontrata përmban edhe dispozita për rastet kur një palë nuk i përmbush detyrimet e saj, falimenton, bëhet e paaftë për pagesë apo kryen shkelje të tjera materiale.
Ajo rregullon gjithashtu rastet e forcës madhore, duke përfshirë ngjarje jashtë kontrollit të palëve që mund ta pengojnë zbatimin e marrëveshjes.
Ligji i Kosovës dhe arbitrazhi në Prishtinë
Një tjetër element i rëndësishëm është juridiksioni.
Kontrata përcakton se marrëveshja rregullohet dhe interpretohet sipas ligjeve të Republikës së Kosovës.
Gjuha zyrtare e saj dhe e anekseve është anglishtja, ndërsa komunikimet mes palëve parashihen po në anglisht.
Në rast mosmarrëveshjeje, palët duhet fillimisht të tentojnë ta zgjidhin atë në mënyrë miqësore.
Nëse kjo nuk arrihet, kontrata parasheh dërgimin e kontestit në arbitrazh pranë Odës Ekonomike të Kosovës në Prishtinë sipas mekanizmit të përcaktuar në marrëveshje.
Pra, megjithëse pala tjetër është kompani shtetërore e Maqedonisë së Veriut, ligji i zbatueshëm mbetet ai i Kosovës.
Klauzolë kundër korrupsionit
Kontrata përmban edhe dispozita të posaçme për etikën.
Blerësi deklaron se nuk ka bërë dhe nuk do të bëjë pagesa, dhurata, hua, premtime apo oferta me vlerë për zyrtarë apo punonjës të shitësit për të ndikuar në vendime ose për të siguruar përparësi të padrejtë.
Shkelja e kësaj klauzole mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për vazhdimin e marrëveshjes.
Po ashtu, dokumenti përmban dispozita për konfidencialitetin, ndryshimin e kontratës, kufizimin e përgjegjësisë, ndalimin e bartjes së kontratës pa pëlqimin përkatës dhe të drejtat e autoriteteve kosovare për verifikimin e zbatimit të marrëveshjes.
Autoritetet e Kosovës mund ta kontrollojnë zbatimin
Në Kushtet e Përgjithshme përfshihet edhe një dispozitë për autoritetet rregullatore.
Blerësi duhet t’u lejojë Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës apo autoriteteve të tjera kompetente të verifikojnë zbatimin e marrëveshjes, përfshirë kontrollimin e dokumenteve dhe informacioneve që lidhen me kontratën, sipas kushteve të përcaktuara në të.
Kjo është e rëndësishme duke pasur parasysh se KEK-u është ndërmarrje publike dhe se objekti i marrëveshjes është një pasuri natyrore me rëndësi strategjike për Kosovën.
Kush fiton më shumë ekonomikisht?
Kjo është ceshtja që vetë kontrata nuk mund ta zgjidhë plotësisht.
Për KEK-un, llogaria fillon me 24.40 euro për ton dhe me faktin se një pjesë e kostove operative i kalon blerësit.
Për ESM-në, çmimi prej 24.40 eurosh është vetëm një komponent i kostos.
Kompania maqedonase duhet t’i shtojë atij koston e gërmimit, përpunimit, operatorit ekonomik, ngarkimit, transportimit, shpedicionit dhe shkarkimit në termocentralet e veta.
Vetëm pasi të dihen këto kosto mund të llogaritet sa do t’i kushtojë realisht ESM-së një ton qymyr nga Kosova.
ESM ka deklaruar publikisht se pret që përdorimi i qymyrit të Kosovës t’i mundësojë rreth 800 GWh prodhim shtesë të energjisë elektrike në vit dhe rreth 57 milionë euro të hyra vjetore.
Këto shifra janë projeksione të kompanisë maqedonase dhe nuk janë garanci financiare të kontratës së KEK-ut.
Kontrata nuk i premton ESM-së 800 GWh dhe as 57 milionë euro.
Ajo rregullon shitjen dhe mënyrën e realizimit të saj.