Çeku premton miliarda euro investime, Rama i kundërpërgjigjet: “Nuk i ke përfundu 2-3 projekte”
Një debat i ashpër u zhvillua në emisionin në Debat Plus mes dy kandidatëve të komunës së Prishtinës që do të përballen në balotazh. Përparim Rama i LDK-së foli për marrëdhëniet me qeverinë Kurti në këto 4 vite mandat, duke i kritikuar për qasje bllokuese, transmeton lajmi.net. Në anën tjetër, Hajrulla Çeku nga VV premtoi…
Lajme
Një debat i ashpër u zhvillua në emisionin në Debat Plus mes dy kandidatëve të komunës së Prishtinës që do të përballen në balotazh.
Përparim Rama i LDK-së foli për marrëdhëniet me qeverinë Kurti në këto 4 vite mandat, duke i kritikuar për qasje bllokuese, transmeton lajmi.net.
Në anën tjetër, Hajrulla Çeku nga VV premtoi investime me miliarda euro në Prishtinë.
Një pjesë nga debat:
PËRPARIM RAMA: Bashkëpunimi me nivelin qendrorë duhet të jetë i mirëfilltë, duhet të jetë pozitiv sepse jemi këtu për shoqërinë, pa marrë parasysh çfarë back-groundi ke në aspektin partiak apo politikë. Unë e kam pas këtë mendësi që nga fillimi. Dy vitet e para jam munduar shumë që të bashkëpunoj, për fat të keq kemi pasur sabotazha të ndryshme nga niveli qendrorë, e tha edhe kryeministri në detyrë para disa ditëve që do t’i bllokojë që ai vendos që s’po punojkan mirë apo që qenka hajna dhe do t’i shtyjë përpara ata që janë të mirë. Çka me thanë për këtë qeveri tjetër? Përveç që po transforomohet në një autokraci, e cila duhet të luftohet dhe duhet të hiqet prej këtij vendi sa më parë sepse nuk është për të mirën e shoqërisë sonë, duhet të vinë njerëz që punojnë, besojnë, bashkëpunojnë dhe ja duan të mirën vendit së pari, e jo të vë në pozita njerëz të cilët punojnë e flasin për liderin. Nuk duhet të kemi sekte politike, duhet të kemi parti të mirëfillta politike e që ja dojnë të mirën qytetarëve e jo të bijmë në këto gracka autoritare të cilat i shtynë përpara VV-ja.
HAJRULLA ÇEKU: Kërkova nga stafi që të më përgatisin listën e investimeve kapitale të Ministrisë së Kulturës në këto 4 vite e gjysmë të ndarë sipas komunave. Top 5-shja e ndarë si vlerë janë: Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë, Prizren, Gjakovë. Asnjëra e udhëhequr nga VV. Gjithmonë parimi themelorë ka qenë ku janë problemet, ku janë nevojat për t’i orientuar investimet. Në Prishtinë do të investohen 1.5 miliardë euro, në mandatin e ardhshëm. Buxheti i komunës në total për 4 vitet e ardhshme shkon në 651 milionë euro, janë të komunës. Financimet që janë në pritje, të një komune që është e përgjegjshme, edhe që i menaxhon si duhet ndërmarrjet komunale, i kemi rreth 170 milionë euro. Financime të mundshme dhe në proces, nga instrumente financiare ndërkombëtare janë mbi vlerën 450 milionë euro. Janë 1.5 miliard me synimin me i qu në 2 miliard euro investime. Si bëhet? Me një qasje serioze, bashkëpunuese, edhe me qeverinë, edhe me partnerët ndërkombëtarë, ne i japim zhvillim dhe transformim një Prishtine ka pritur shumë gjatë që kujdeset përnime, i njeh problemet dhe buxhetin e kupton si instrument në të mirën e qytetit e jo në dobi personale.
PËRPARIM RAMA: Dikush që nuk arrin t’i kryej 2-3 projekte e që i ka filluar para 3 vjet e gjysme në aspektin e ndërtesave të kulturës ekzistuese të vogla, flet për buxhet 1.5 miliard edhe këtë e paska marrë prej asaj që e kemi propozuar ne. Mirë është që mendojmë njëjtë. Përveç linçimeve, propagandave, unë sot nuk dëgjova një vizion, përkundër që kërkova dhe dëshirë me dëgju këtë vizion. Ndërsa, ne kemi një vizion të qartë, të zhvillimit të kryeqytetit në të gjitha sferat, të gjitha i kemi, ndërsa ky vazhdon të flas me propagandë./lajmi.net/