Ceferin për VAR-in: Edhe ne kemi vështirësi ta kuptojmë – kur bëhet fjalë për lojën me dorë, askush nuk kupton asgjë

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka shprehur hapur paqartësitë që, sipas tij, vazhdojnë të ekzistojnë në gjykimin e ndeshjeve edhe pas përdorimit të teknologjisë VAR. Duke folur gjatë një paneli në konferencën “The Forum” në Madrid, ai pranoi se vendimet e arbitrimit shpesh janë të vështira për t’u interpretuar, jo vetëm për tifozët, por edhe…

Sport

23/04/2026 23:18

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka shprehur hapur paqartësitë që, sipas tij, vazhdojnë të ekzistojnë në gjykimin e ndeshjeve edhe pas përdorimit të teknologjisë VAR.

Duke folur gjatë një paneli në konferencën “The Forum” në Madrid, ai pranoi se vendimet e arbitrimit shpesh janë të vështira për t’u interpretuar, jo vetëm për tifozët, por edhe për vetë drejtuesit e futbollit. Sipas tij, mungesa e konsistencës në vendime nga një ndeshje në tjetrën vazhdon të mbetet problem, transmeton lajmi.net.

Ceferin theksoi se sidomos interpretimi i rasteve të lojës me dorë mbetet një nga çështjet më të debatueshme. Ai shtoi se shpesh është e paqartë nëse një situatë duhet të konsiderohet shkelje apo jo, apo nëse veprimi i lojtarit ka qenë i qëllimshëm.

“As unë nuk kuptoj më asgjë. Ndonjëherë tifozët nuk mund t’i kuptojnë interpretimet e ndryshme të rregullave nga ndeshja në ndeshje, dhe unë i kuptoj ata. Për shembull, kur bëhet fjalë për lojën me dorë, askush nuk kupton asgjë. A është penalizim apo jo, a është i qëllimshëm apo jo…“

Kreu i UEFA-s nënvizoi se kjo situatë krijon konfuzion të vazhdueshëm, duke bërë që shumë vendime të duken të pakuptueshme për publikun dhe të vështira për t’u justifikuar në mënyrë të njëtrajtshme./lajmi.net/