Çaushi: Takimi te Presidentja është kundër protestës së 17 shkurtit

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, ka bërë një postim në facebook, ku flet për ftesën e Presidentes Atifete Jahjaga, për t’u takuar në një tryezë të përbashkët me liderët e pozitës.

Lajme

07/02/2016 16:09

Sipas tij, ky takim do të ishte kundër protestës së 17 shkurtit. Çaushi konsideron se zgjidhja e krizës politike është në shesh me qytetarët, e jo në zyra të mbyllura me krerët e qeverisë “kukull”, ose siç e ka quajtur ai ‘kuislinge’, transmeton lajmi.net

Vetëvendosje dhe Nisma e kanë kundërshtuar këtë takim, përderisa lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se e ka pranuar ftesën e Jahjagës për takim.

Ky është postimi i plotë i Çaushit:

Takimi te Presidentja është takim kundër protestës gjithëpopullore të 17 shkurtit 2016. Zgjidhja është në shesh me qytetarët, jo në zyra të mbyllura me krerët e qeverisë ‘kuislinge’.

Për dallim edhe nga Amnesty International, Presidentja Jahjaga nuk e tha asnjë fjalë kundër arrestimit të gati gjysmës së deputetëve të opozitës dhe kundër ndërhyrjes brutale të Policisë Speciale të Kosovës në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 28 Nëntor 2015. Asnjë fjalë asnjëherë nuk e tha për peticionin e 205 mijë qytetarëve. Për më tepër edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese ku vetë e ka nxitur procesin, nuk e përfilli kurrë. Ajo vazhdimisht ia mban anën regjimit të Thaçit e Mustafës prandaj ftesa e saj, në fakt, është ftesë e qeverisë.

Ky takim me Thaçin e Mustafën është shkelje e rezistencës gjashtëmujore të opozitës së bashkuar. Prandaj, ky takim është i gabueshëm për opozitën dhe i dëmshëm për Kosovën.

Takimi me Thaçin e Mustafën është flirtim me ta, për t’iu ndihmuar ambicieve të tyre (Thaçi që do të bëhet me çdo kusht President e Mustafa të mbetet me çdo kusht kryeministër). Takimet me ta janë afrim e bashkim me qeverisjen e tyre. Janë në kundërshtim të plotë me tërë atë që është ndërtuar deri tash me protestën e qytetarëve, aktivistëve e deputetëve, protestë kjo e cila e ka dëshmuar qartë se interesat e regjimit në njërën anë dhe ato të Republikës e të qytetarëve në anën tjetër, janë në kundërshtim me njëra tjetrën.

Meqë nuk kemi shkuar te Presidentja para tri javëve kur na thirri vetëm neve tri subjekteve opozitare, pse do të shkonim tek ajo tash kur është bashkë me Mustafën e Thaçin?!

Ne duhet të punojmë me qytetarët në mbrojtje të Republikës. Protesta gjithëpopullore e 17 shkurtit do të jetë edhe më e fuqishme. /lajmi.net