Cameron fton shtabin e krizës rreth përgjigjes ndaj militantëve të IS

Pas publikimit të videos që tregon ekzekutimin e punëtorit humanitar britanik, David Haines, nga xhihadistët e IS, kryeministri David Cameron ka ndërprerë të gjitha obligimet e parapara me agjendë dhe ka ftuar mbledhje urgjente të shtabit  të krizës, i quajtur Cobra. 

Bota

14/09/2014 12:04

Sipas informatës së agjencisë së lajmeve AP, ai ka ftuar për të dielën paradite në rezidencën e tij në Downing Street 10, bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë ushtarakë e të sigurisë, për të shqyrtuar përgjigjen britanike ndaj ekzekutimit me heqje koke të David Haines, si dhe paralajmërimin e islamikëve të IS se do të veprojnë njëjtë edhe me një britanik tjetër, nëse Britania nuk heqë dorë nga aleanca me SHBA-të.

Mbretëria e Bashkuar deri tash ka hezituar për t’iu bashkëngjitur sulmeve ajrore ndaj pozicioneve të IS në Irak dhe Siri.

Shteti Islamik ka qendrën e vet në Siri. Në qytetin Raqqa kanë vendosur kryeqytetin e kalifatit të vetëshpallur, i cili shtrihet në territore të Sirisë dhe Irakut.