Caktohet masa e paraburgimit ndaj policit Murat Latifi- dyshohet për disa vepra penale, përfshirë bashkëpunimin me familjen Gërbeshi
Gjykata Themelore në Mitrovicë, ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe përmes aktvendimit ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit Murat Latifi, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par.1, Zbulimi i fshehtësisë zyrtare…

Lajme
Gjykata Themelore në Mitrovicë, ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe përmes aktvendimit ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit Murat Latifi, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par.1, Zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga neni 426 par. 1, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve sipas nenit 366 par. 1 dhe Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 367 par.1 të Kodit Nr. 06/L-074 penal të Republikës së Kosovës.
Masa e paraburgimit sipas këtij aktvendimi, të pandehurit Latifi, i llogaritet nga datë 03.09.2025 deri më 03.10.2025.
“Gjykata pasi ka vlerësuar pretendimet e palëve ka gjetur se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit M.L. është e bazuar pasi që gjykata ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale të përshkruara nga kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, se ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitar si dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale”,thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktvendimi është e lejuar e drejta në ankesë, në afat prej 48 orësh nga momenti i pranimi të aktvendimit. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit të Kosovës në Prishtinë, përmes kësaj gjykate.
Murat Latifi, polic i Njësisë Speciale Operative është arrestuar nën dyshimin se kishte ofruar të dhëna apo informacione të brendshme policore për disa raste në të cilat ishin duke u hetuar disa anëtarëve të familjes Gërbeshi nga Vushtrria.
Me këto veprime, polici special dyshohet se kishte nxjerr edhe informacione konfidenciale të policisë të cilat konsiderohen zyrtare./Lajmi.net/