Caktimi i çmimit tavan për produkte bazë, Tahiri kritikon Qeverinë: A jeni n’men?
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë Kurti për propozimin e Projektligjit për caktimin e çmimit tavan për produktet bazë. Në fjalën e tij, Tahiri ka thënë se ky propozim i Qeverisë bie ndesh me parimet Kushtetuese dhe me shumicën prej dispozitave të nën-neneve të tij, shkruan lajmi.net. “Nëse e shohim…

Lajme
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë Kurti për propozimin e Projektligjit për caktimin e çmimit tavan për produktet bazë.
Në fjalën e tij, Tahiri ka thënë se ky propozim i Qeverisë bie ndesh me parimet Kushtetuese dhe me shumicën prej dispozitave të nën-neneve të tij, shkruan lajmi.net.
“Nëse e shohim për shembull Neni i I-rë dhe i II-të lidhet me qëllimin dhe fushëveprimin. Lidhet me rregullimin e masave mbrojtëse dhe destabilizimin në treg. Në fakt, ky Ligj e destabilizon tregun. Ky ligj e shtin, e obligon shtetin-Qeverinë që të marrë masa ndaj një sektori tjetër, që është ai privat”, ka thënë Tahiri duke shtuar se ky Ligj e destabilizon funksionimin e tregut të lirë.
Tutje, ai ka thënë se Ligji i propozuar nga Qeveria do të stimulojë mungesën e produkteve.
“Kjo për shkak se intervenimi i shtetit do të ndikojë që shumica e produkteve të cilat shumica importohen, të mungojnë në treg”, ka thënë ai.
Tahiri ka deklaruar se AAK-ja ka dalë me pesë propozime për mënjanimin e krizës në qershor të këtij viti, por që asnjë prej tyre nuk ishte diskutuar as miratuar nga Qeveria.
“Kemi propozu zvogëlimin e TVSH-së, nuk ka ndodh. Kemi propozu largimin e akcizës, ministri Murati thoshte se nuk mund të ndodh. Propozimi i tretë ka qenë lidhur me energjinë. Vetëm këto tri propozime t’i dëgjonit, sot do të kishim mënjanuar krizën”, ka thënë Tahiri.
Ai ka qenë i ashpër në kritika ndaj Qeverisë për Nenin që parashikon caktimin e marzhës së fitimit nga institucionet.
“Hej a jeni n’men? Ku e cakton more Qeveria marzhën e fitimit të një produkti për sektorin privat. Ai e blen një produkt dhe e kalkulon shpenzimin”, ka thënë ai.
Në fund, Tahiri ka thënë se Qeveria duhet të tërhiqet nga ky propozim pasi që sipas tij ky ligj do të destabilizojë tregun dhe ekonominë, por edhe shtetin, duke e dobësuar arkën. /Lajmi.net/