Bulliqi e quan të vonshëm debatin më 3 gusht për Demarkacionin, nuk pret rezultat

Data 03 gusht e cila u vendos për të debatuar rreth çështjes së Demarkacionit nga ana e Qeverisë, Kuvendit, Komisionit Shtetëror dhe ekspertëve,  është vlerësuar e vonshme dhe pa ndonjë rezultat të favorshëm nga deputeti Shpejtim Bulliqi.

Lajme

15/07/2016 19:05

Ky i fundit është edhe iniciuesi i kësaj kërkese i cili mori edhe nënshkrimin e 20 deputetëve tjerë  nga të gjitha partitë për ta bërë këtë kërkesë tek kryetari i Kuvendi dhe Kryesia.

Nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti sot e bëri të ditur se 3 gushti do të jetë dita ku do të debatohet për Demarkacionin. Por kjo ditë për Bulliqin është relativisht e vonshme dhe se nuk ka qenë e nevojshme të shtyhet për aq gjatë.

Deputeti i LDK-së Shpejtim Bulliqi njëherësh edhe gjeograf tha për lajmi.net se është mirë që Kuvendi i Kosovës ka reflektuar pozitivisht për kërkesën e tyre dhe atyre deputetëve që kanë nënshkruar një gjë të tillë, por përsëri akuzon Qeverinë për zvarritjen që po i bëhet kësaj.

“Mendoj që periudha kohore kur është përcaktuar mbajtja e këtij takimi është relativisht i vonshëm dhe s’ka pas asnjë arsye që të shkohet aq gjatë, pasi nuk kanë filluar ndonjë përgatitje adekuate  të nevojshme, mendoj që gjërat janë të qarta dhe kjo është blerje kohe.

Mendoj që është një hendikep i madh për të gjithë deputetët e Kosovës për faktin që  ata nuk e kanë një material të tillë në dorë për ta lexuar  dhe për të pasur mundësi për ta analizuar në këtë faze e që mendoj është një hendikep i veçantë për të gjithë deputetët”, shpjegoi Bulliqi.

Ai thekson se nëse Qeveria e Kosovës është aq shumë e bindur që çdo gjë është në rregull sa i përket kësaj pune të komisionit shtetërorë për demarkacionin nuk është dashur të prolongoj këtë punë por ta miratojë në Qeveri edhe ta bartë atë më pas materialin tek deputetët e Kosovës.

“Një gjë e tillë nuk është bë dhe krejt ky proces unë mendoj se është një blerje e kohës dhe qysh po vërehet nga sonte ka filluar ajo  fushata  intensive përmes mjeteve të informimit  me të ashtuquajtur ekspertë  të ndryshëm të cilët po tentojnë ta mbrojnë punën e atij komisioni dhe mendoj krejt këto do të shkojnë në disfavor të sqarimit”, sqaroi ai.

Tutje ai vlerësoi se me gjithë këtë propagandë që po bëhet nuk është se pret ndonjë rezultat të favorshëm.

“Ne do ta bëjëm punën tonë dhe do të mundohemi që në mënyrën më të mirë të mundshme t’i informojmë deputetët”, përfundoi ai.

Shpejtim Bulliqi bashkë me kolegun e tij gjeograf e kanë publikuar një punim shkencor ku sipas tyre  Kosova humb mbi 8000 hektar tokë nga marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi. /Lajmi.net