Bukaqku: Zgjedhjet e reja mund të sjellin legjitimitet të ri, por jo ndryshime të mëdha politike – Partitë duhet të tejkalojnë inatet
Vullnet Bukaqku nga KDI, thotë se për herë të parë që nga paslufta e deri më sot, një mandatar i propozuar për kryeministër në Kosovë nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme parlamentare për formimin e qeverisë. Bukaqku në një intervistë për ‘Expose’ që transmetohet në gazeta blic, thekson se në aspektin demokratik është…
Lajme
Vullnet Bukaqku nga KDI, thotë se për herë të parë që nga paslufta e deri më sot, një mandatar i propozuar për kryeministër në Kosovë nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme parlamentare për formimin e qeverisë.
Bukaqku në një intervistë për ‘Expose’ që transmetohet në gazeta blic, thekson se në aspektin demokratik është një zhvillim normal.
“Po, në kuptimin kështu politik edhe në kuptimin kushtetues është hera e parë që në Kosovë një mandatar i propozuar për herë të parë nuk arrin të formojë shumicë të mjaftueshme parlamentare që të kalojë në kuvend dhe rrjedhimisht të zgjedhet qeveria e tij dhe kabineti i tij qeveritar. Si shtet që nga paslufta, por edhe që nga shpallja e pavarësisë, kjo s’i ka ndodhur asnjëherë Kosovës, por në kuptimin e demokracisë është shumë normale që një qeveri e cila ose një, themi ashtu, një kandidat për kryeministër i cili paraprakisht nuk ka ndërtuar koalicion dhe marrëveshje politike në mungesë të shumicës së të fituar në kuvend, atëherë edhe ka qenë e pritshme që vota e tij nuk do të jetë pra qeverisë së tij, për faktin se ka munguar shumica e nevojshme parlamentare që të votohet qeveria e tij”, shtoi ai.
Ai shtoi se situata aktuale ka kaluar tashmë në fazën kushtetuese, ku sipas nenit 95 të Kushtetutës, presidentja e Republikës së Kosovës ka afat 10 ditë për të zhvilluar konsultime me partitë politike dhe për të propozuar një kandidat tjetër për kryeministër.
“Dhe tani jemi në procedura kushtetuese dhe siç e dini edhe kushtetuta e Kosovës, neni 95 e lejon mundësinë që presidentja e shtetit brenda 10 ditësh të fillojë konsultimet dhe të gjejë mundësinë të të propozohet një kandidat tjetër për kryeministër dhe rrjedhimisht t’i jepet mundësia një koalicioni fitues, qoftë partisë së parë, qoftë edhe partive të tjera parlamentare që të propozojnë kandidat tjetër për kryeministër dhe rrjedhimisht të zhvillohet edhe procedura e votimit të dytë sa i përket formimit të qeverisë dhe mbetet të shihet nëse këto ditë presidentja do të jetë më aktive dhe do të japë vlerësimin e saj mbi atë se si po shkojnë, nëse kanë filluar edhe konsultat me partitë politike parlamentare, ose nëse ende nuk kanë filluar, se si do ta ndjekë ajo çështjen e saj institucionale karshi formimit të qeverisë në rundin e dytë”, tha ai.
Megjithatë, sipas përfaqësuesit të KDI-së, gjasat reale janë që Kosova të përfundojë në zgjedhje të reja të parakohshme.
“Po, duke u bazuar në deklarimet publike të disa krerëve të partive politike më të mëdha parlamentare, duket që nuk ka rrugë tjetër pos përfundimit në zgjedhje të reja të parakohshme. Ne si organizatë si KDI, në ditën kur dështoi formimi i qeverisë, edhe ashtu e, e themi ashtu, e lëshuam një komunikatë ku dhe vlerësuam që duket se gjasat reale janë që vendi të përfundojë në zgjedhje të reja të parakohshme dhe rrjedhimisht të kërkohet legjitimitet i ri, themi ashtu, për deputetët edhe për partitë politike parlamentare”, u shpreh tutje.
Në rast se edhe mandatari i dytë për formimin e qeverisë dështon, ai kujtoi se Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe zgjedhjet duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga dita e shpërndarjes.
“Tani më se si do të zhvillohet kjo është krejtësisht në dorën e presidentes së shtetit, e cila besoj që brenda këtij afati do të na sqarojë në mënyrë të duhur se si i ka zhvilluar procedurat e konsultimit për formimin e qeverisë. Nëse veç eventualisht propozohet një mandatar dhe ai përsëri nuk merr shumicën e votave të mjaftueshme në kuvend, atëherë kuvendi shpërndahet me automatizëm dhe rrjedhimisht caktohen zgjedhjet e reja nga ana e presidentit, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpërndarjes së kuvendit”, theksoi ai.
Sipas tij, zgjedhjet e reja mund të sjellin një “legjitimitet të ri për përfaqësuesit politikë”, megjithëse ai nuk pret ndryshime të mëdha në përqindjet zgjedhore krahasuar me rezultatin e zgjedhjeve të fundit.
“Zgjedhjet e reja mund të sjellin, të themi ashtu, një legjitimitet të ri të këtyre përfaqësuesve të popullit të Kosovës, të partive politike parlamentare, por duke parë edhe trendin edhe disponimin aktual edhe gjasa se si mund të përfundojmë në këto zgjedhje, unë nuk pres që ka me pas edhe shumë ndryshime esenciale sa i përket rezultatit dhe përqindjes zgjedhore të dalur nga zgjedhjet e datës 9 shkurt, po megjithatë ajo i takon vullnetit të qytetarëve dhe votuesve që ata nëse mbahen veç zgjedhjet, të përcaktojnë me votën e tyre të lirë se kush mund të jetë potencialisht partia ose subjekti apo kandidati që do ta udhëheqë qeverinë e ardhshme dhe kush mund të jenë partitë eventualisht nëse bëjnë kompromis dhe koalicione që t’i formojnë edhe qeverinë edhe kuvendin dhe ashtu të ecin tutje drejt formimit të plotë të institucioneve”, tha ai.
Në fund, Vullneti u bëri thirrje partive politike që, pavarësisht dallimeve dhe inateve politike, të vendosin interesin e qytetarëve dhe të shtetit mbi të gjitha.
“A do të ndodhë kjo? Uroj që të ndodhë, pavarësisht që e dimë qëndrimet publike edhe deklarative të shumicës së partive politike shqiptare, por nuk ka rrugëzgjidhje tjetër, unë besoj që edhe nëse shkojmë në zgjedhje dhe përfundon ai proces zgjedhor, partitë duhet t’i pranojnë rezultatet dhe duhet të mendojnë për interesin shtetëror dhe interesin e qytetarëve dhe rrjedhimisht t’i tejkalojnë këto inatet dhe, të themi ashtu, qëndrimet e barrikaduara dhe qasjen që e kanë përjashtuese ndaj njëra-tjetrës dhe duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët që të bashkëqeverisin dhe t’i japin institucione të mirëfillta”, përfundoi Bukaqku.