BSPK: Qëndrojmë përkrah punëtorëve të RTK-së

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka dalë në mbështetje të protestës që Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) e ka thirrur për të enjten nga ora 11:00 para hyrjes së objektit të televizionit, për shkak të mungesës së pagave për punëtorët e transmetuesit publik.   “Kjo situatë, e cila…

Lajme

05/11/2025 16:36

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka dalë në mbështetje të protestës që Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) e ka thirrur për të enjten nga ora 11:00 para hyrjes së objektit të televizionit, për shkak të mungesës së pagave për punëtorët e transmetuesit publik.

 

“Kjo situatë, e cila përsëritet për herë të dytë brenda tre muajve, është dëshmi e qartë e mungesës së dialogut social dhe e papërgjegjësisë institucionale ndaj punëtorëve që mbajnë gjallë funksionimin e një institucioni publik me rëndësi kombëtare. E drejta për protestë është një e drejtë themelore demokratike dhe një mjet i ligjshëm që punëtorët e përdorin kur heshtja e institucioneve bëhet barrë, e kur mungon dialogu social”, thotë BSPK-ja.

Sipas Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në çdo shoqëri të drejtë dhe demokratike, kur mungon dialogu, punëtori ka të drejtë të ngrejë zërin.

“Prandaj, BSPK qëndron fuqishëm përkrah punëtorëve të RTK-së, të cilët me dinjitet po kërkojnë atë që u takon me ligj dhe me djersën e punës së tyre, pagën. BSPK bën thirrje që të gjitha institucionet përgjegjëse të marrin masa urgjente për zgjidhjen e kësaj situate, duke garantuar pagesën e menjëhershme të pagave dhe sigurimin e stabilitetit financiar të transmetuesit publik. Mbrojtja e dinjitetit të punëtorit është mbrojtje e dinjitetit të punës dhe e vet shtetit demokratik”, thuhet në komunikatën që ka lëshuar BSPK-ja në mbështetje të protestës së punëtorëve të RTK-së.