Brukseli udhëzime të rrepta Kosovës
Brukseli i ka dërguar udhëzime të rrepta Prishtinës për organizimin e takimit të ardhshëm rajonal. Pas Beogradit, takimi i radhës do të organizohet në Prishtinë në fund të këtij viti.
Lajme
Në këtë takim, sikurse ndodhi në atë të fundit në Beograd, nuk duhet të ketë simbole që shfaqin shtetësinë e Kosovës dhe duhet ofruar siguri maksimale për përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë.
Mbledhja e ardhshme e ministrave të jashtëm dhe ministrave të ekonomisë së rajonit të Ballkanit, ku në të njëjtën tryezë do të jenë sërish ministrat Ivica Daçiq dhe Enver Hoxhaj, do të mbahet në Prishtinë në fund të vitit, dhe Brukseli ka udhëzuar rreptë autoritetet e Kosovës se si do të duket ky takim.
Siç mëson gazeta serbe “Novosti”, takimi i cili është vlerësuar me përmbajtje të rrezikshmërisë së lartë, duhet të organizohet në bazë të modelit si ai i fundit i mbajtur në Beograd, dmth se nuk duhet të ketë asnjë provokim në formën e theksimit të stemave apo flamujve shtetëror, transmeton lajmi.net.
Përveç kësaj për të gjithë pjesëmarrësit duhet të ofrohet siguri maksimale, duke mos lejuar organizimin e tubimeve apo protestave për shkak të ardhjes së mysafirëve nga Beogradi.
Serbia, sipas kësaj gazete i është përmbajtur kërkesave të BE-së me rastin e takimit në Beograd, pavarësisht presionit të brendshëm publik, ku ministrat e qeverisë së Kosovës, përveç pjesëmarrjes provokuan edhe me deklarata, ku i kërkohej Serbisë të njohë pavarësinë e Kosovës.
Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, i ka thënë “Novostit” se takimi i tillë ku tani Prishtina do të jetë nikoqir, nuk beson se pala serbe do të përjetojë ndonjë “provokim”, por kjo nuk duhet edhe të përjashtohet si mundësi.
“Unë besoj se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme të Kosovës, dhe në këtë formë nuk do të jetë pjesë e organizimit të këtij takimi. Sikurse të ndodhte e kundërta, atëherë edhe mund të llogaritej në ndonjë provokim”, ka thënë analisti serb. (lajmi.net)