Brukseli e ktheu prapa Kosovën

Ivica Dacic thotë se Marrëveshja e Brukselit e ka kthyer Kosovën prapa, ndërsa Serbinë e ka bërë fituese. Sipas tij, me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe do të pengohet pavarësia e Kosovës.

Lajme

22/12/2013 12:19

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka thënë se me dialogun e Brukselit, Kosova është kthyer me vite mbrapa, ndërsa Serbia e ka kthyer rrotën e historisë.

Në një intervistë për televizionin serb “Pink”, Dacic bëri të ditur se në këtë dialog çështja e pavarësisë së Kosovës është lënë në plan të dytë, pas planit për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë (AKS).

“Ne në Marrëveshjen e Brukselit nuk e kemi pranuar asnjë lloj të pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi, e kemi kthyer prapa rrotën e historisë. Kjo do të thotë se çështja e pavarësisë është në plan të dytë, pas formimit të Asociacionit të Komunave Serbe”.

“Kosova është me vite mbrapa, ndërsa ne jemi zotuar për besnikëri ndaj kushtetutës sonë dhe i jemi drejtuar Zotit, për të ndërtuar të ardhmen tonë”.

“Ne nuk kemi krijuar asnjë mekanizëm për ta ndaluar këtë, por së shpejti do të themelojmë AKS’në”, ka thënë Kryeministri serb.